Në mesin e 37 viktimave nga rrëzimi i urës “Morandi” në Genova të Italisë janë edhe dy shqiptarë. Njëri prej tyre, 32 vjeçari Admir Bokrina, nga fshati Oblikë i Njësisë Administrative Ana e Malit, të Shkodrës.

 

Ditën e mërkurë, familja Bokrina ka hapur dyertë e zisë në Oblikë për humbjen tragjike të të birit. Admiri që prej moshës 12 vjeçare jetonte në Genova të Italisë, ndërsa po shkonte në punë në momentin tragjik të shkatërrimit të urës.

 

Xhaxhai i tij, Fatmir Bokrina, i cili pret njerëzit për ngushëllim, shprehet se dyshimet e para që diçka nuk shkonte me Admirin erdhën që në momentin që ai nuk përgjigjej në telefon. Fatmir Bokrina rrëfen se tre ditë më parë Admiri festoi tre vjetorin e martesës, ndërsa nuk mund të imagjinonte atë që do të pasonte.

 

Kushëriri i tij, djali i hallës, Shkëlzen Lani, shprehet se dyshimet e para për tragjedinë kanë qenë që në mesditë, pas momentit që ai është ndarë me të shoqen. Urën “Morandi” Admir Bokrina e ka përshkuar shumë shpesh, për shkak se ka qenë një ndërlidhje kyçe me punën.

 

Sipas informacioneve, trupi i Admir Bokrinës kishte dëmtime tepër të rënda saqë identifikimi është bërë i mundur vetëm përmes një tatuazhi në trupin e tij dhe nga unaza. Mëngjesin e sotëm, drejt Italisë janë nisur dy prindërit. Admiri në shtetin italian jetonte së bashku me prindërit, bashkëshorten dhe të vëllain.

 

Tragjedia në Genova të Italisë është një ndër më të rëndat të ndodhura në vitet e fundit. Ura “Morandi” prej vitesh ishte konstatuar se kishte rrezikshmëri të lartë, megjiathatë nuk mundi të evitohej.

Artikulli paraprakFALSIFIKOHET FIRMA E ADEMIT NË KALIMIN E ERALD ÇINARIT
Artikulli tjetër25.3% LINDJE MË PAK NË SHQIPËRI