Një valë protestash shpërtheu në disa qytete të Greqisë si reagim ndaj aksidentit tragjik të përplasjes së trenit të pasagjerëve me atë të mallrave në afërsi të Larisës, që u mori jetën deri tani të paktën 57 personave, prej të cilëve 7 të karbonizuar ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur. Protestuesit u përleshën me policinë në zyrat qendrore të kompanisë së trenave në Athinë që përgjigjet për mirëmbatjen e linjave hekurudhore. Protesta u mbajtën edhe në Selanik dhe Larisa, ndërkohë që qeveria ka deklaruar se po zhvillohet një hetim i pavarur mbi ngjarjen. Ekipet e shpëtimit kanë vijuar gjatë gjithë natës kërkimet për të gjetur të mbijetuar të tjerë mes hekurishteve që mbeten nga përplasja e fortë e trenave që u përfshinë në flakë. Mes të plagosurve janë edhe 6 shtetas shqiptarë, dy prej tyre në gjendje kritike për jetën. Ndonëse nuk konfirmohet zyrtarisht dyshohet se mes viktimave ka edhe shtetas shqiptarë, por pritet që të bëhen verifikimet e trupave dhe analizat e ADN, një pjesë të cilëve janë djegur plotësisht nga përplasja e fortë. Shumica e viktimave që nuk janë identifikuar janë të moshës 20-30 vjeç. Para spitalit në Larisa, prindër dhe të afërm qëndrojnë të dëshpëruar pasi nuk mund të gjejnë të dashurit e tyre dhe po i nënshtrohen testit të ADN-së për të identifikuar viktimat.

Gjatë një homazhi të heshtur në nderim të viktimave në Larisa një protestues tha se fatkeqësia kishte qenë vetëm çështje kohe, pasi sistemi hekurudhor në Greqi kishte probleme prej 30 vitesh, ndërsa punonjësit e saj ishin të paguar keq. Shefi i stacionit hekurudhor të Larisës është arrestuar si përgjegjës për dhënien e urdhrit të gabuar makinistit të trenit me 350 pasagjerë në bord. Fillimisht ka mohuar çdo përgjegjësi, duke thënë se përplasja ndodhi për një defekt teknik por më pas e ka pranuar se ishte ai që udhëzoi makinistin në mënyrë të gabuar. Partitë opozitare deklaruan se kryeministri dhe qeveria e tij po mundohen t’ja lënë përgjegjësinë një njeriu të vetëm duke e konsideruar aksidentin gabim njerëzor, ndërkohë që shkaqet janë shumë më të thella dhe e kanë burimin të neglizhenca dhe mungesa e investimeve në sektorin e hekurudhave. Ministri grek i Transporteve, Kostas Karamanlis dha dorëheqjen pas ngjarjes duke deklaruar se merrte përsipër përgjegjësinë politike për “dështimet e gjata” të autoriteteve për të rregulluar një sistem hekurudhor që sipas tij nuk ishte i përshtatshëm për shekullin e 21-të. Ndërkohë anëtarët e sindikatës së hekurudhave besojnë se sistemet e sigurisë nuk po funksionojnë siç duhet pas paralajmërimeve të përsëritura prej vitesh. Punëtorët e hekurudhave janë hedhur në grevë këtë të enjte për atë që ata e cilësojnë neglizhencë zyrtare.

Si ndodhi ngjarja
Treni Intercity 62 i linjës Athinë-Selanik po kalonte pranë stacionit të Larisës pak para orës 23:00 të së martës, me 341 pasagjerë dhe një ekuipazh prej 13 anëtarësh. Pak minuta më vonë, ndodhi tragjedia. Pavarësisht se linja hekurudhore Athinë-Selanik është e dyfishtë, treni i pasagjerëve u përplas kokë më kokë me një tren mallrash që udhëtonte në drejtim të kundërt, duke bërë që tre vagonët e parë të dilnin nga shinat dhe të përfshiheshin nga flakët.

Artikulli paraprak13-të BASHKI FITUESE TË PROGRAMIT NDËRKUFITAR IPA II
Artikulli tjetërNESËR PROTESTA E OPOZITËS, POLICIA: JA RRUGËT QË DO TË BLLOKOHEN NGA ORA 10:00 DERI NË PËRFUNDIM TË TUBIMIT