Trajneri i kombëtares, De Biazi, së bashku me ndihmësin e tij italian, Paolo Tramezani, janë takuar dhe kanë biseduar me sulmuesin shqiptar të Interit, Rey Manaj. Kësisoji, merr fund ajo “betejë” mediatike mes palëve, duke lënë të kuptohet se numri 77 zikaltër do të jetë pjesë e përfaqësueses sonë në miqësoren e nëntorit.
Këtë e ka paralajmëruar para pak ditësh vetë De Biazi, këtë ia ka bërë me dije dje edhe vetë Manajt kryepankina kuqezi. De Biazi dhe Tramezani kanë ndjekur sfidën e vlefshme për “Trofeun Berlusconi”, e fituar 1-0 nga të besuarit e Roberto Mançinit. Rey Manaj e ka nisur si titullar këtë ndeshje, duke luajtur 66 minuta lojë në sytë e trajnerit tonë të kombëtares. Mesa duket, pasi promovoi Mario Balotelin, Roberto Mançini mund të përsërisë historinë me Rey Manajn. Sulmuesi i ri shqiptar i Interit të kujton shumë lojtarin aktual të Milanit. Ish-tekniku i Manchester City e ka treguar tashmë se dëshiron t’i besojë Manajt. Talenti shqipar ka qenë protagonist në ditët e fundit për disa debate me teknikun e kombëtares kuqezi, Xhani De Biazi. Shkak u bë një status i djaloshit në adresën e tij në Facebook, për të cilin kërkoi ndjesë menjëherë më pas. Por, tashmë, Manaj mund të rikthehet të buzëqeshë dhe të shpresojë për Kombëtaren Shqiptare. Në fakt, De Biazi e ka falur sulmuesin e ri, gjë të cilën e ka deklaruar në “Gazzetta dello Sport”: “Nëse do ta fal? Sigurisht, edhe pse nuk kishte asgjë për t’u falur. Përkundrazi, po paralajmëroj një gjë: në nëntor, për miqësoren që jemi ende duke e shqyrtuar, do ta thërras me kombëtaren”, – ka thënë trajneri italian. Pra për ish-lojtarin e Cremonese do të vijë shansi të luajë më kombëtaren e tij, por, ndërkohë, pati mundësinë ta bëjë këtë edhe me Interin, që nga minuta e parë, pikërisht në kuadër të trofeut “Berlusconi”, ditën e djeshme.