Inspektoriati i Mjedisit ka organizuar këtë të mërkurë një trajnim në terren për inxhinierët e pyjeve nga i gjithë qarku Shkodër.
Rritja e kapacitetit të shërbimit pyjor për administrimin kualitativ të pyjeve, sidomos për mbrojtjen nga zjarret, por edhe përllogaritjen dhe përmirësimin e gjëndjes ka qenë në fokus të pedagogëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës për trajnimin. Fillimisht trajtimi është bërë në teori, por projekti ka vazhduar edhe në praktikë.
Mënyra e menaxhimit të rregulltë të pyjeve ishte pjesë e trajnimit kryesor për të gjithë inxhinierët. Këtë vit në të gjithë qarkun Shkodër janë shkrumbuar dhjetëra hektar nga zjarret, duke e bërë situatën më të vështirë. Ky trajnim pritet të jetë efektiv edhe në raport me matjen dhe përllogaritjen me aparatura të posaçme të gjendjes së pyjeve.