Në datë 21 nëntor Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për transferimin e 41 parcelave tokë nga Vlora deri në Ksamil në pronësi të Ministrisë së Turizmit për projekte të investimit në zonat që kanë përparësi zhvillimin e Turizmit.

Vendimi përmban një listë me pronat që janë arë ose kullota dhe të cilat qeveria thotë se janë pronë publike (lexo këtu vendimin). Mes 41 parcelave disa nga pronat që janë transferuar përfshijnë zonat në; Akërni, Gjilekë, Dhërmi, Porto Palermo, Lukovë, Vuno, Jalë, Livadh, Potam, Piqeras, Nivicë dhe Ksamil.

Në vendimin e qeverisë theksohet se Ministrisë së Turizmit i lejohet vetëm që t’i japë këto toka me qëllim përdorimin për zhvillimin në turizëm.

“Ministrisë përgjegjëse për turizmin i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronave të paluajtshme, sipas pikës 1 të këtij vendimi, t’i tjetërsojë ose t’ua japë ato në përdorim të tretëve, përveç projekteve të investimit në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit,” thuhet në vendim.

Organizata OMONIA dhe Ministria e Jashtme Greke e dënuan vendimin si shpronësim të banorëve të fshatrave të jugut. “Këto sipërfaqe qe po nëpërkëmbën nga Ministria e Turizmit me qellim dhënien me konçension të tyre kundrejt çmimit 1 euro, janë prona private të banorëve të Krishterë Orthodhoksë Grekë të Bashkisë së Himarës” reagoi OMONIA.

Ndërsa Athina zyrtare akuzoi se vendimi i jep në mënyrë arbitrare Ministrisë së Turizmit parcela toke që përfshijnë prona private të shtetasve grekë. Por, Ministria shqiptare për Europën dhe Punët e Jashtme ka reaguar duke theksuar se pronat që janë transferuar janë shtetërore dhe jo të banorëve.

MEPJ rithekson se shteti shqiptar ka qenë dhe do të jetë gjithnjë i angazhuar në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të pakicave
Deklaratë për shtyp e Ministrisë Për Evropën dhe Punët e Jashtme!
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreh habinë e saj për deklaratën e MPJ greke të datës 11.12.2018.

Si nje vend evropian, anëtar i Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut, Shqipëria njeh juridiksionin e Gjykatës së Strasburgut dhe zbaton vendimet e saj. E drejta e pronës është e drejtë kushtetuese që gëzohet pa dallim dhe në mënyrë të barabartë nga të gjithë shtetasit, në mënyrë individuale, pavarësisht përkatësisë kombëtare.

Për më tepër, të gjithë shtetasit gëzojnë të drejtën e ankimimit efektiv në instancat gjyqësore në rast pretendimesh për shkelje të këtyre të drejtave.

MEPJ shpreh keqardhjen për deklaratën e MPJ-së greke e cila mbështetet në shtrembërim të fakteve. Dëshirojmë të sqarojmë se VKM-ja në fjalë ka si objekt evidentimin e zonave me interes për zhvillimin e turizmit të cilat gëzojnë statusin me “Pronësisë Shtetërore”. MEPJ rithekson se shteti shqiptar ka qenë dhe do të jetë gjithnjë i angazhuar në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të pakicave.

Ky angazhim dëshmohet nga anëtarësimi ynë në Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare, garancitë kushtetuese në këtë fushë, si dhe miratimi i legjislacionit specifik për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë.

Duke i bërë thirrje palës greke për lexim objektiv të fakteve dhe realitetit, dëshirojmë të kujtojmë se kuadri i pasur ligjor, në pajtim me praktikën evropiane, sikundër tradita e shkëlqyer e bashkëjetesës shoqërore në Shqipëri përbëjnë një shembull pozitiv për t’u ndjekur në rajon.

Artikulli paraprakPËRZGJIDHEN 6 ANËTARËT E KLGJ-SË
Artikulli tjetërZGJIDHEN 6 ANËTARËT E KLGJ-SË, AMBASADA AMERIKANE: HAP VENDIMTAR NË ZBATIMIN E REFORMËS NË DREJTËSI