Qeveria për 2016-n i ndan çdo bashkie 3.078 lekë për çdo banor. Kjo ndarje e transfertës së pakushtëzuar bëhet me një formulë të re, që bazohet në popullsinë banuese të çdo njësie vendore.

Gjithsej transferta e pakushtëzuar që shpërndahet është 11,833,248,132 lekë. Sipas listës, bashkitë që përfitojnë më shumë janë: Tirana, Shkodra, Elbasani, Kamza, Durrësi dhe Fieri. Kjo shumë nuk përfshin fondet e transferuara për konviktet, shërbimet sociale, bashkitë të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, dhe fondet e rrugëve rurale rajonale. Sipas Ministrisë Financave, formula është: Banorë rezidentë efektivë = [CENSUS + (Regjistri i gjendjes civile – Census)*30%]. Në bazë të kësaj formule ndryshon edhe popullsia e Shqipërisë, e cila nga 2.9 milionë banorë që është sipas Censusit 2011, për Financat shkon në 3.335.004 njerëz. Për të adresuar problemin e diferencave të mëdha në numrat e popullsisë së ofruara nga Regjistri i Gjendjes Civile (RGJC) dhe Censusi i vitit 2011, në formulën e re është bërë një zgjidhje kompromisi që harmonizon shifrat. Të dhënat për popullsinë që përdoren në aplikimin e formulës bazohen kryesisht në të dhënat e Censusit të vitit 2011, të azhornuara me normën e rritjes së popullsisë në nivel qarku sipas vlerësimit të bërë nga INSTAT në vitin 2014. Këtyre të dhënave u shtohet 30% e diferencës midis të dhënave të Censusit dhe Gjendjes Civile (të vitit 2014) për secilën njësi të qeverisjes vendore. Kështu, nëse një njësi e qeverisjes vendore sipas Censusit të vitit 2011 (të azhornuar me normën rajonale të rritjes së popullsisë në vitin 2014) ka 30.000 banorë, ndërsa sipas gjendjes civile rezulton të ketë 45.000 banorë, atëherë, numri i popullsisë së përdorur për alokimin e fondeve për këtë bashki do të jetë 30.000 + [(45.000-30.000)*30%] = 34.500 banorë të konsideruar rezidentë efektivë në atë bashki. Një kriter tjetër, mbi të cilin ndahet transferta e pakushtëzuar për bashkitë është numri i nxënësve në shkollat publike nëntëvjeçare dhe të mesme. Për vitin 2016, 5% e totalit të transfertës së pakushtëzuar, ose 569.622.407 lekë do të alokohen mbi numrin faktik të nxënësve në shkollat publike çdo bashki, kundrejt totalit kombëtar të nxënësve. Bashkitë do të marrin një fond prej 1,278 lekësh për çdo nxënës në territorin e tyre.

Artikulli paraprakHYN NË FUQI KODI RRUGOR, KUJDES NGA RREGULLAT E REJA
Artikulli tjetërRRUGA PRANË URËS SË TRENIT, MBYLLET “KANALI” PROBLEMATIK