Sociologët dhe demografët pohojnë se ka ardhur koha që tranzicioni demografik (rënia e madhe e lindjeve dhe emigracioni i lartë) të trajtohet me përparësi, pasi në fazën në të cilën ndodhen diktojnë të gjitha zhvillimet politike dhe ekonomike në vend. Si po ndikohet ekonomia dhe perspektiva e saj
Potencialet e larta që ka Shqipëria për emigrim, ku sistematikisht në tre vitet e fundit, 50% e popullsisë ka pohuar se ka në plan të largohet të paktën sipas tre anketimeve të ndryshme (Gallup, Gëdeshi-King dhe UNESCO) e ka futur shoqërinë në një qark pesimizmi që po jep ndikime negative zinxhir në ekonomi.
Largimet, kryesisht në formën e azilit politik në Europë, rreth 170 mijë persona në 2015-2017, kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në uljen e konsumit në vend.
Teksa pjesa tjetër që planifikon të ikë dhe që po përgatitet për këtë qëllim, duke mësuar gjuhën gjermane dhe duke marrë trajnimet e nevojshme për punësim jashtë vendit (mjekët, infermierët dhe të rinjtë) po mbajnë të ndrydhur konsumin e mallrave të qëndrueshëm.
Duke planifikuar të emigrojnë, ata nuk blejnë shtëpi, nuk investojnë në prona, duke u limituar vetëm në financimin e përditshmërisë së tyre. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, tha se potencialet e larta të emigrimit krijojnë një situatë pesimizmi që dëmton konsumin në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Dhe tashmë kjo po ndodh, teksa ekonomia është rritur me ritme më të larta se 4%, gati në nivelin më të lartë të dekadës, treguesi i besimit në ekonomi po bie. Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) ra me 4.0 pikë në tremujorin e tretë të vitit 2018.
Banka e Shqipërisë sqaroi se ecuria e treguesit reflektoi si rënien e besimit të biznesit, ashtu edhe të konsumatorëve. Vrojtimet e Bankës tregojnë se balanca e blerjeve të mëdha ra me 5.4 pikë përqindje në tremujorin e tretë. Sociologët shpjegojnë se emigracioni ndoshta është treguesi më i qartë që shoqëria po kalon një periudhë depresioni.
Vështirësitë ekonomike dhe humbja e shpresës i shtyjnë njerëzit ta kërkojnë fatin e tyre jashtë vendit dhe kjo mungesë sigurie do të reflektohet edhe në numrin e lindjeve.
Nuk duhet harruar edhe fakti se emigracioni prek kryesisht të rinjtë dhe kjo patjetër që do të ketë ndikim demografik, thotë sociologu Ergys Mërtiri.
Eksperti i çështjeve sociale, Kosta Barjaba, tha se klasat politike dhe qeverisjet shqiptare u tërhoqën prej problemeve emergjente, të ashtuquajtura kardinale si: ekonomia, reformat strukturore, proceset integruese, ndërtimi i institucioneve demokratike, konsolidimi i sistemit dhe institucioneve politike etj.
Të gjitha këto ishin të nevojshme. Por po kaq e nevojshme ishte edhe ndjekja e tranzicionit demografik, i cili përgjithësisht shoqëron tranzicionet politike, ekonomike dhe ndryshimet e sistemeve politike, tha ai. Bizneset kanë evidentuar se faktori demografik po shndërrohet në një nga shqetësimet kryesore të aktivitetit të tyre.
Sektori i shitjeve me pakicë po vuan rënien e konsumit dhe disa linja prodhimi (fasoni) kanë nisur të ndiejnë vështirësi në gjetjen e forcës së punës.
Për herë të parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, në misionin e fundit, renditi emigracionin si një problem shqetësues, duke tërhequr vëmendjen e qeverisë shqiptare që të krijojë kushtet për një rritje gjithëpërfshirëse, me qëllim frenimin e fenomenit.
Profesor Barjaba thotë se, rritja e popullsisë mbi 65 vjeç, pra e popullsisë së moshuar, do të kërkojë burime shtesë për fondin e pensioneve, shërbimet sociale e shëndetësore për këtë kategori.
Rritja e popullsisë aktive, midis 15-64 vjeç, ka implikime kontradiktore: furnizon tregun e punës me forcë pune të re, të arsimuar, dinamike e produktive, pra është një “dhuratë” për tregun e punës; por kur tregu i punës nuk ofron vende pune të reja të mjaftueshme, “dhurata” demografike shndërrohet në rrezik demografik.
Pakësimi i popullsisë nën 15 vjeç do të ketë pasoja afatgjata në pakësimin e “furnizimit” të tregut me fuqi punëtore të re, shtoi ai. Ndërsa demografi Luan Shahollari vëren me shqetësim fenomenin e emigracionit kryesisht në moshat e reja, i cili jep më tej efekte negative edhe në rënien e numrit të lindjeve.
Popullsia, në presion të dyfishtë
Zhvillimet demografike po bëhen të vrullshme kohët e fundit si rezultat i një presioni të dyfishtë, emigrimit dhe rënies së lindjeve me ritme dyshifrore. Përgjithësisht, numri vjetor i lindjeve në Shqipëri luhatet në 32-24 mijë bebe në vit.
Vitin e kaluar lindën pak më shumë se 30 mijë bebe, teksa gjatë 9 muajve të 2018 lindën vetëm 18,120 bebe. Sipas skenarit pesimist të projeksioneve të popullsisë të INSTAT, numri i bebeve të lindura në vitin 2018 duhet të jetë pak më shumë se 27 mijë foshnja.
Që të përmbushet projeksioni i skenarit pesimist duhet të lindin të paktën edhe 9 mijë foshnja në të gjithë vendin në tremujorin e mbetur.
Vlora ishte qarku me rënien më të lartë të lindjeve, me rreth 36%, e ndjekur nga Gjirokastra me mbi 35%. Rënia e lindshmërisë në Vlorë po ndikohet edhe nga emigracioni i lartë
Rënia e lindjeve ka prekur edhe Qarkun e Tiranës, e cila përgjithësisht po sheh rritje të popullsisë në raport me qarqet e tjera. Një anketim i fundit i Qendrës për Kërkime Sociale dhe Ekonomike,
për potencialet e emigrimit, gjeti se, dëshira për të ikur është e madhe për qytetarët e Vlorës, ku 66.7% e tyre i kanë thënë po emigracionit, të ndjekur nga elbasanllinjtë, ku mbi 57% e tyre duan të emigrojnë.
Sociologu Mërtiri thotë se rënia e numrit të lindjeve është fenomen i pranishëm kudo në vendet e modernizuara. Kjo ka të bëjë me shumë arsye, por kryesisht lidhet me stilin e jetesës.
Disa studiues pohojnë se shoqëritë moderne janë bërë së tepërmi individualiste dhe madje edhe hedoniste, gjë që ul predispozitën për të rritur fëmijë, të cilët kërkojnë përkushtim dhe sakrifica.
Numri i madh i fëmijëve të kushtëzon në mënyrën e jetesës, karrierën, mjetet financiare apo edhe kohën të cilën ua kushton interesave individuale. Për rrjedhojë, shumë njerëz priren të sakrifikojnë lindjen e fëmijëve përballë interesave të tjera, thotë Mërtiri.
Nga ana tjetër, shtimi i madh i familjeve me një person, numri i madh i divorceve, si dhe ndërprerja e lidhjeve midis njerëzve i pakëson mundësitë për të pasur fëmijë.
Kjo shtohet edhe nga vetë dobësimi i familjes dhe pasiguria që kjo prodhon, gjë që reflektohet doemos edhe te hezitimi për të bërë fëmijë, shpjegon sociologu. Rënia e numrit të lindjeve, e shoqëruar me emigracionin e lartë, e ka shtuar presionin mbi popullsinë, duke e pakësuar dhe duke e plakur më shpejt se pritshmëritë.
Profesor Barjaba sugjeron që Shqipëria duhet të fokusojë politikat e saj te nxitja e lindshmërisë, pasi emigracioni do të vijojë për shkak të diferencave në nivelin e mirëqenies ndërmjet vendit tonë dhe Europës.
Profesorët Ilir Gëdeshi dhe Russell King, nëpërmjet Qendrës për Kërkime Sociale dhe Ekonomike, me kërkimit e tyre mbi emigracionin ndër vite, kanë gjetur së fundi trende të reja të fenomenit dhe shkaqeve të flukseve të larta të emigracionit.
Në një kërkim mbi emigrimin potencial, anketa zbuloi se, 52% e popullsisë shqiptare të grupmoshës 18 – 40 vjeç, dëshirojnë të migrojnë nga Shqipëria, në krahasim me anketën e vitit 2007, ku 44.2% e kësaj grupmoshe donte të emigronte.
Dëshira për të migruar në këto përmasa lidhet me përfytyrimin që kanë njerëzit për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve. Nga njëra anë, ai është një reflektim i gjendjes reale ekonomike, sociale e politike në vendin e origjinës, nga ana tjetër, i mundësive potenciale në vendin pritës.
Vrojtimi tregoi se, rreth 50% e familjeve me të ardhura nga 1000-1470 euro duan të largohen. Por gjithashtu u pa se 70% e emigrantëve të rikthyer duan të largohen.