“Trashëgimi të ndryshme në Qytetet Europiane – Krijimi i një rrëfimi të identiteteve disonante europiane përmes pjesëmarrjes së qytetarëve” është qëllimi i projektit “FARO” që po zbatohet në 8 vende të ndryshme të Europës, mes të cilave edhe bashkia Shkodër. Shkodra është një nga qytetet që ka filluar të investojnë në mënyrë të konsiderueshme në krijimin e hapësirave kulturore për të shpjeguar më mirë trashëgiminë e lënë nga regjimi komunist.
Në fjalën e tij kryetari i bashkisë Bardh Spahia u ndal tek rëndësia e këtij projekti, pasi ruajtja e objekteve të asaj periudhe dokumenton një kohë dhe përcjell një histori, për të cilën brezat e ri duhet të informohen dhe ta kenë si dëshmi.
Yasho Minkov, nënkryetar i bashkisë së Dimitrovgrad dhe njëherësh zv/drejtor i Atrium përgëzoi bashkinë Shkodër për bashkëpunimin e treguar në këtë projekt.
Bashkia Shkodër ka një eksperiencë të gjatë në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të vlerave dhe trashëgimisë në territor, organizimin e aktiviteteve kulturore dhe promovimin i identitetit kombëtar e lokal, si dhe administrimin e objekteve që lidhen me ushtrimin e këtyre funksioneve. Historia e persekutimeve, terrorit dhe vuajtjeve në Shkodër, ka tërhequr vëmendjen e shoqatës ATRIUM (Arkitektura e Regjimeve Totalitare të Shekullit XX në Kujtesën Urbane të Europës) e cila menaxhon “European Cultural Route”.