Prej disa muajsh pagesat për ish të përndjekurit politik janë ndërprerë dhe janë dhënë shumë pak lek për trashëgimtarët, për të mos thënë fare.

Shkak janë bërë ndryshimet e reja ligjore që po harton Ministria e Financave, ku parashikohet që të përjashtohen nga skema e dëmshpërblimit, nipat dhe mbesat e ish të dënuarve.

Por eskpertë të Ministrisë së Financave thonë se pagesat për ish të përndjekurit do të rifillojnë në muajin shtator.

Aktualisht ish të dënuarit që janë gjallë e kanë mbyllur procesin e dëmshpërblimit dhe nuk kanë marrë paratë vetëm ata që kishin probleme me dosjet. Ndërkohë për trashëgimtarët nuk ka filluar dhënia e këstit të tretë.

Ministria e Financave e ka bërë të qartë që kësti i tretë nuk do të fillojë të jepet, pa u mbyllur dhënia e këstit të parë dhe të dytë.

Burime nga ky institucion thanë se janë ende shumë emra që duhet të marrin dëmshpërblimin, prandaj përgjatë 2018-së nuk parashikohet të nis procesi për këstin e tretë. Pagesat në shtator pritet të vijojnë për këstin e parë dhe të dytë.

Trashëgimtarët

Po çfarë duhet të kenë parasysh trashgmtarët që të marrin këstin e radhës? Pagesa do të kryhet për të gjithë trashëgimtarët e ish të dënuarit politik. Trashëgimtarët duhet të dorëzojnë dokumentet e kërkuara sipas dispozitave ligjore në fuqi.

Të gjithë trashëgimtarët e ish të dënuarit duhet të sigurohen pranë bankës në të cilën kanë hapur llogarinë, që llogaria e tyre është aktive.

Në rast se llogaria nuk është aktive, shuma e dëmshpërblimit kthehet mbrapsht në buxhet duke sjellë vonesa dhe ndërlikime të panevojshme.

Kur kemi ndryshim të identitetit, Emër/Mbiemër, apo në rastet kur në certifikatë ndryshon emri ose mbiemri, qoftë edhe me një gërmë të vetme në krahasim me dëshminë e trashëgimisë apo prokurës,

kartës së identitetit dhe çdo dokumenti tjetër të nevojshëm, duhet medoemos që në të gjitha dokumentet emrat të jenë të njëjtë me atë që është shkruar në certifikatën e lëshuar nga gjendja civile.

Në raste se ka transkriptime të gabuara gjatë kohës nga një certifikatë e një periudhe të caktuar, atëherë këto ndryshime duhet të pasqyrohen brenda formatit të certifikatës apo edhe të një vërtetimi të veçantë të lëshuar nga zyra e gjendjes civile.

Në rastet e ekzekutimeve kapitale pa gjyq, është i domosdoshëm një vendim fakti gjykate që vërteton vdekjen, plus një certifikatë negative të lëshuar nga zyra e gjendjes civile.

Në rastet kur për arsye të njohura në gjendjen civile nuk ekzistojnë dokumente të periudhës përkatëse dhe ky fakt vërtetohet nga gjendja civile, i interesuari është i detyruar të bëj një gjyq fakti, të cilin edhe në këtë rast si në pikën më lart, duhet ta shoqërojë me një certifikatë negative.

Artikulli paraprakFALIMENTON SKUADRA E BARIT, DECARO: DITA MË E KEQE PËR QYTETIN!
Artikulli tjetërBLEU 4 APARTAMENTE PËR 7 VITE, VETTINGU ‘DJEG’ GJYQTARIN E ’21 JANARIT’, TOM NDRECA