Paralajmërimi i Ministrit të Financave Arben Ahemtaj, se do të rishikohet skema për dëmshpërblimin e trashgimtarëve, ka zbuluar edhe disa nga skemat që po mendohet për dhënien e dëmshpërblimint për ish të përndjekurit. Gazeta mëson se qëllimi i Financave është të përjashtojë nga skema përfituesit e radhës së dytë e të tretë. Kjo do të thotë se dëmshpërblimin si trashgimtarë mund ta marrin vetëm fëmijët e atyre që kanë qënë në burg. Gjithashtu Ministria e Financave bën me dije se do të përqëndrojë të gjithë fondin tek trashgimtarët e radhës së parë. Nisma kërkon edhe ndryshime ligjore, të cilat po hartohen nga ekspertët.

Pra të gjithë fëmijët e personave që kanë qënë të burgosur do të marrin dëmshpërblimin, por jo fëmijët e fëmijëve dhe kështu me radhe. Në total janë rreth 12 mijë persona që përjashtohen nga skema e dëmshpërblimit, por numri pritet të rritet më shumë në vitet në vijim.

Ndryshimet

Janë të nevojshme edhe ndryshimet në ligjin për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politik. Kjo për faktin se është dhënë kësti i tetë për të gjithë ish të dënuarit që janë gjallë dhe 70% e fondit shkonte për ta. Tashmë duhet që të ketë një rishpërndarje të fondeve vetëm për trashgimtarët. Sipas burimeve të gazetës nga Ministria e Financave ndryshimet ligjore që pritet të bëhen, do të ndërpresin edhe dhënien e këstit të parë dhe të dytë për trashgimtarët.

Ministri Ahmetaj

“Për trashëgimtarët ka një këndvështrim të ri, që diskutohet brenda qeverisë dhe po deri në vendimmarrje, ai fond për përfituesit trashëgimtarë ka ngrirë deri në një moment kur të kemi qartë politikën, pra do të shlyejmë këstet e të gjithë trashëgi-mtarëve, nuk ka rëndësi brezi i parë, i dytë apo i katërt apo do të kufizojmë. Ka një këndvështrim të ri që diskutohet brenda qeverisë: do t’i shlyejmë të gjithë, brezin e dytë, brezin e tretë, brezin e katërt pambarim, apo do kufizohemi!”, tha ministri i Financave dhe Ekonomisë dy ditë më parë.

Çfarë parashikon ligji?

“Në bazë të buxhetit vjetor të vënë në dispozicion, fondi i dëmshpërblimit për të ish-të dënuarit politikë nga regjimi komunist do të ndahet në mënyrë proporcionale, në një raport prej 70 për qind për të gjitha kategorinë e subjekteve përfituese parësore, të përcaktuara në paragrafin e dytë të këtij neni dhe 30 për qind për trashëgimtarët e ish-të dënuarve, që nuk bëjnë pjesë në këtë kategori, me kusht që kësti i dëmshpërblimit të mos jetë më i vogël se 100 000 lekë dhe jo më i madh se 1 000 000. Me shlyerjen përfundimtare të dëmshpërblimit të subjekteve përfituese parësore, të përcaktuara sipas këtij neni, i gjithë buxheti vjetor kalon për dëmshpërblimin e trashë-gimtarëve të ish-të dënuarve politikë”, – thuhet në ligj e ndryshuar në vitin 2014.

Artikulli paraprakBASHA THIRRJE ISH-TË PËRNDJEKURVE DHE PRONARËVE: EJANI NË PROTESTË
Artikulli tjetërDOKUMENTI I PS, PAKTI I 18 MAJIT KA PËRFUNDUAR QË NË NËNTOR