Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në një hotel në krah të autostradës Tiranë-Durrës. Si pasojë, është tentuar të vritet një dalë 20 vjeç me armë zjarri, i cili është plagosur dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spital.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në ambientet e dhomës së një hoteli në autostradën Durrës-Tiranë, ishte plagosur me armë zjarri një shtetas, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se në ambientet e dhomës së një hoteli, kanë qenë shtetasit M.B, T.Sh, A.B dhe A.S.

Shtetasi M.B ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin A.S, 20 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të veprimeve hetimore 26-vjeçari M.B, banues në Durrës, është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”. Në kërkim është shpallur edhe shtetasi T.Sh, 32 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.

Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë shtetasit:

A.B, 22 vjeçe, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”. Kjo shtetase, menjëherë pas ngjarjes, ka marrë armën e zjarrit dhe e ka fshehur në pjesën e pasme të hotelit;

E.H, 66 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ka strehuar shtetasen A.B, ndërkohë që ka patur dijeni për ngjarjen.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë që është përdorur në këtë ngjarje. Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.

Artikulli paraprakME SYTË NGA KASKADA E DRINIT, TRE DITËT E ARDHSHME SJELLIN RESHJE NË GJITHË SHQIPËRINË, BALLUKU: QYTETARËT TË BËJNË KUJDES
Artikulli tjetërSHPËRTHEN BOMBOLA E GAZIT, MERR FLAKË APARTAMENTI