Vllaznia do të ketë jo pak, por tre mungesa të rëndësishme në ndeshjen kundër Kukësit në transfertë. Fitorja e fundit ndaj Skënderbeut ka lënë pasoja te shkodranët, të cilët kanë humbur në Korçë dy titullarë me peshë. Trajnerit Qatip Osmani i duhet t’i bëjë llogaritë pa Ardit Krymin në mesfushë dhe Geralb Smajlin në mbrojtje, të dy të pezulluar. Krymi u ndëshkua me karton të kuq në fundin e ndeshjes me Skënderbeun, kurse Smajli u ndëshkua me karton të verdhë, që për të ishte i katërti. Mungesa e tretë është ajo e portierit të parë, Kristi Qarri. Edhe pse i dëmtuar, ai ishte i pranishëm në stolin kuqeblu në Korçë, ku mori një karton të verdhë që e skualifikon për transfertën e Kukësit.
Në dyshim mbetet edhe portieri i dytë, Jurgen Mehidri, i cili do t’i çonte në katër mungesat, nëse nuk ia del të rikuperohet në kohë. Në këto kushte, trajneri Qatip Osmani duhet të modifikojë formacionin për ndeshjen e rradhës në Kukës. Në portë do të jetë Jukaj, i cili ofron siguri me paraqitjen e bërë në Korçë, ku e ruajti rrjetën të paprekur. Në të djathtë të mbrojtjes, në vend të Smajlit, me shumë mundësi do të aktivizohet Sala. Mungesa më e madhe është ajo e Krymit dhe stafi teknik, me në krye trajnerin Qatip Osmani, po mendon që të spostojë Malën në qendër, i cili mund të pozicionohet pak përpara Alivodës dhe Boshnjakut.
Një lëvizje që është bërë edhe më parë, kur kanë munguar Alivoda ose Boshnjaku. Në sulm do të marrë një fanellë titullari Çoba, duke zënë në këtë mënyrë vendin e Malës në të majtë. Këto pritet të jenë edhe ndryshimet në formacionin shkodran, por janë edhe pak ditë kohë deri në ndeshjen me Kukësin dhe situata mund të ndryshojë. Kampionati është në një pikë, ku tashmë gabimet kanë kosto të lartë dhe kuqeblutë janë të angazhuar maksimalisht për të mos pasur “rrjedhje” pikësh kundër Kukësit, që mban vendin e fundit në tabelën e klasifikimit, por që po kalon një moment të mirë.