Kukësi nuk ia ka dalë të vazhdojë në Ligën e Kampioneve, pasi është mundur në transfertë nga Karabak me rezultatin 3-0.

Verilindorët janë mposhtur pas një ndeshje të çuditshme, ku iu akorduan 3 penallti kundër dhe ku mbylli takimin me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Allës.

Ndonëse Frashëri vuri për pak çaste petkun e heroit, duke pritur një penallti, ai nuk evitoi dot fitoren e vendasve të cilët me Emegara e Kuintana në fushë, bënë lehtësisht diferencën.

Tani për skuadrën e Cungut mbetet pjesëmarrja në vijim në Ligën e Europës, ku do të luajë që javën e ardhshme në turin e tretë të aktivitetit.

Eliminimi nga Liga e Kampioneve nuk ka çuditur shumë trajnerin e Kukësit, Armando Cungu, i cili pas ndeshjes ka pohuar se mes dy skuadrave kishte diferenca të madhe cilësore.

Kuksianët njohin që tani se kush do të jetë rivali i radhës, falë shortit të hedhur dy javë më parë dhe në fakt nuk është një sfidë e pamundur për ta.

Përballë do të jetë njëra mes Torpedo Kutaisi dhe Vikingur, të cilat luajnë nesër ndeshjen e kthimit mes tyre në turin e dytë të Ligës së Europës në Ishujt Faroe.

Artikulli paraprakENERGJIA ELEKTRIKE “PENALIZON” BIZNESET NË LEZHË
Artikulli tjetërHIDHET NGA BALLKONI BASHKËSHORTJA E GJYQTARIT TË KRIMEVE TË RËNDA