Tre persona dyshohet se kanë mbetur të helmuar mbrëmjen e 28 dhjetorit në Shkodër pasi konsumuan ujë në një shishe të ambalazhuar që prodhon një prej kompanive private në veriun e Shqipërisë. Nënë e bir, shtetasit me inicialet A.Z 41 vjeçe dhe A.Z 14 vjeç nga Malësia e Madhe kanë shkuar tek restorant Chicago në Shkodër dhe pasi kanë porositur mes të tjerave edhe një shishe uji të ambalazhuar kanë mbetur të helmuar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 të 28 dhjetorit. Fillimisht ujin e ka pirë djali 14 vjeçar i cili ka pësuar djegie të menjëhershme dhe më pas e çuditur nga reagimi i të birit ujin e ka konsumuar edhe nëna e tij e cila po ashtu ka pësuar djegie.
Më pas kamarieri i lokalit Chicago duke qenë i habitur nga reagimi i klientëve ka provuar edhe ai ujin në atë shishe të ambalazhuar dhe po ashtu ka pësuar djegie. Menjëherë këta tre shtetas janë dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës dhe pasi kanë marrë ndihmë e shpejtë janë dërguar drejt Tiranës për mjekim më të specializuar ndërsa mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Burime nga spitali në Tiranë bëjnë me dije se nënë e bir dhe kamarieri janë paraqitur me djegie në stomak dhe ezofag. Kjo pasi mendohet se në shishen e ujit ka patur lëndë djegëse që dyshohet se ka qenë acid duke sjellë dëmet shëndetësore tre personave të sipërpërmendur.
Menjëherë policia vendore e Shkodrës kanë nisur hetimet në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shkodër si dhe prokurorinë e rrethit duke vijuar intensivisht punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje ndërsa policia konfirmoi se djegia e tre shtetasve ka ardhur nga uji në shishe të ambalazuar dhe jo uji i pijshëm i ujësjellësit. Ndërkohë pas helmimit të këtyre tre shtetasve dhe një situate të paqartë të krijuar fillimisht ka reaguar edhe ndërmarrja e ujësjellës sh.a në Shkodër e cila ka sqaruar kjo ngjarja nuk lidhet me ujin e pijshëm që furnizon ujësjellësi por me ujin e ambalazhuar në shishe i prodhuar nga një kompanie private.
“Ujësjellës Kanalizime Shkodër, në kuadër të transparencës dhe komunikimit me klientët e vet, sqaron opinionin publik se personat nënë e bir dhe një kamarier, janë intoksikuar pasi kanë konsumuar ujë të ambalazhuar nga një kompani. Kjo konfirmohet edhe nga Prokuroria dhe AKU që bashkarisht po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. UK Shkodër siguron klientët për cilësinë e ujit, monitoruar periodikisht nga specialistë të Drejtorisë së Shendetit Publik Shkodër”, thuhet në njoftimin e ujësjellësit.