Tre persona të maskuar kanë shkuar për të grabitur por nuk ia kanë arritur qëllimit sepse është thyer xhami i dyqanit.
Punonjësit e dyqanit të kompanisë të telefonisë T-Mobile kanë shkuar si zakonisht në punë por kanë parë xhamin e thyer. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:15 të së enjtes në vendin përballë Sahatit në qytetin e Shkodrës. Sapo është konstatuar dëmi është njoftuar policia vendore e Shkodrës. Grupi i ekspertizës kanë mbërritur në vendngjarje dhe menjëherë kanë nisur hetimet paraprake. Pasi janë kryer veprimet e grupit të ekspertizës është konstatuar se në dyqan nuk është prekur asgjë edhe brenda ka celular dhe paisje të tjera elektronike. Fillimisht vetë forcat e policisë por edhe pronarët e dyqanit që tregtojnë celular dhe shërbime të tjera të kompanisë T-Mobile kanë menduar se thyerja e xhamit mund të ketë ardhur edhe aksidentalisht nga ndonjë gurë gjatë natës nga makinat që kalojnë me shpejtësi. Pas hetimeve paraprake, policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe janë dërguar në komisariat nga ku oficerët kanë parë pamjet filmike. Pasi janë kontrolluar kamerat e sigurisë policia ka arritur të shoh se kjo ngjarje nuk ka qenë aksidentale por një tentativë për grabitje e pastër. Tre persona rreth orës 00:15 i janë afruar dyqanit. Me maska në kokë kanë nisur tentativat për të hapur derën duke nisur nga pjesa e poshtme. Gjatë këtyre veprimeve të tyre, xhami i derës ka rënë dhe është thyer. Në këtë moment nga frika se grabitja nuk ka shkuar sipas planit të tyre këta tre persona janë larguar me shpejtësi pa arritur që të marrin asgjë brenda dyqanit të kompanisë T’Mobile. Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve por deri më tani nuk ka asnjë pistë. Grabitjet vijojnë të jenë një shqetësim në qytetin e Shkodrës.