Vdekja e 56-vjeçarit pasditen e së dielës në plazhin e Vjetër të Vlorës, ishte vrasje dhe jo aksidentale, ndryshe nga sa policia raportoi paraprakisht.

Dy vellëzër dhe një i afërm i tyre janë arrestuar pasi e dhunuan Stavri Minon. Policia thotë se gjithçka nisi për motive banale, por burimet flasin edhe për një konflikt për çështje pronësie.

Vdekja e 56-vjeçarit, Stavri Mino, pasditen e së dielës në Vlorë ishte vrasje.
Ai u dhunua me grushte e shkelma nga tre persona që tashmë janë vënë në pranga.
Policia e qytetit bregdetar thotë se ka arritur të zbardhë ngjarjen që fillimisht u raportua për aksidentale nga blutë.

Të arrestuarit janë vëllezërit Astrit dhe Agron Hameti, 48 dhe 56 vjeç dhe i afërmi i tyre Nusret Hoda 57 vjeç.

Tre burrat akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin vranë me dashje Stavri Minon.
Ngjarja e rëndë u shënua në një lokal në zonën e plazhit të Vjetër.
Burimet thanë se Stavri Mino ndodhej në lokal bashkë me vëllanë e tij.
Në një kënd tjetër, ndodheshin vëllezërit Hameti dhe kunati i tyre.

Sipas policisë ata kanë qenë duke konsumuar alkool, kur në një moment janë përfshirë në një debat fillimisht verbal, e më pas në konflikt fizik.
Burrat duke u rrahur me njëri-tjetrin kanë dalë jashtë lokalit.

Aty, Stavri Mino, ka marrë disa goditje dhe është rrëzuar mbi një gur, duke humbur jetën.
Sipas burimeve, gjithçka nisi për një të sharë. Por sipas burimeve nuk përjashtohet as pista e konflikteve për çështje të tjera.

Fillimisht policia raportoi se në trupin e viktimës nuk u konstatuan shenja dhune, por ka qenë ekspertiza mjeko-ligjore që ka nxjerrë shkaqet e vdekjes.

Artikulli paraprakAKSIDENTI TRAGJIK I MERR JETËN 42-VJEÇARIT SHQIPTAR
Artikulli tjetërARRESTOHET PRONARI I LOKALIT KU NDODHI PLAGOSJA,POLICIA :FSHEHU PROVAT