Tre persona kanë humbur jetën ndërkohë që një i katërt ka mbetur i plagosur, pasi një agresor hapi zjarr në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara.

Autoritetet arrestuan 39-vjeçarin me ngjyrë Kori Ali Muhammad, i cili mendohet të ketë sulmuar për motive racore dhe jo terroriste. Autoritetet dolën në këtë pistë, nisur nga fakti se të katërt personat e sulmuar ishin të bardhë si dhe nga postimet e shumta të agresorit në rrjetet sociale, ku shfaqej një gjuhë me urrejtje të theksuar ndër-racore. Një ngjarje e rëndë është shënuar në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara, teksa një agresor me ngjyrë ka vrarë me armë zjarri tre persona ndërsa la të plagosur një të katërt. Kori Ali Muhammad, mësohet se ka bërtitur ‘Zoti është i madh’ në gjuhën arabe, e më pas ka qëlluar për rreth një minutë e gjysmë në drejtim të viktimave.

Pasi kanë analizuar të dhënat paraprake, autoritetet thanë se në këtë moment nuk mund të përjashtohet asnjë skenar, por shtojnë se dyshimet më të mëdha janë se bëhet fjalë për një sulm mbi motive racore dhe jo për terrorizëm. Kjo për faktin se të katërt personat që u kthyen në objektivin e agresorit ishin të bardhë. Në rrjetet sociale, 39-vjeçari kishte postime të shumta me përmbajtje të qartë urrejtjeje ndër-racore, gjë që përforcon deklaratat paraprake të policisë. Ai gjithashtu shprehte vazhdimisht qëndrime anti-qeveritare. Dëshmitarët okularë treguan se Kori Ali Muhammad kishte hapur zjarr gjatë kohës që qëndronte në brendësi të makinës së tij.

Ata shtuan se e kishin parë agresorin të ndërronte disa herë karikatorët. Diçka e tillë ka ndodhur deri në neutralizimin e tij nga forcat e sigurisë. 39-vjeçari është gjithashtu i dyshuar për një tjetër ngjarje të rëndë, ku kanë mbetur një i vrarë dhe një i plagosur, ndaj hetuesit do të shohin nëse ekziston një lidhje mes tij dhe rastit në fjalë. Vrasja e tre qytetarëve në Kaliforni pritet të ndezë edhe njëherë debatin mbi kontrollin e armëve, pasi çdo vit në Shtetet e Bashkuara, humbasin jetën mesatarisht afro 30 mijë persona.

Artikulli paraprakHELIKOPTERI USHTARAK GREK ZHDUKET NGA RADARËT
Artikulli tjetërPADIA NDAJ SERBISË PËR GJENOCID, MES DEKLARATAVE DHE MUNDËSIVE