Së bashku me stinën e pranverës është rritur edhe sipërfaqja e hapësirave që zë secili prej tregtarëve ambulantë në zonën e Zdrales në Shkodër.

Janë rreth 50 tregtarë të paligjshëm që shesin fruta-perime dhe produkte me origjinë shtazore në kushte aspak të përshtatshme. Ishulli i trafikut është zënë totalisht, ndërsa tregtarët e vegjël janë të gatshëm të paguajnë taksa kundrejt bashkisë nëse kjo e fundit iu ofron një treg të përshtatshëm. Ata janë të vetëdijshëm për mungesën totale të kushteve në të cilat shesin, por kërkojnë mbështetje për gjetjen e hapësirave. Gjatë këtij viti Bashkia Shkodër ka akorduar një fond prej 6.5 milionë lekësh të reja, por nuk ka alokuar asnjë shumë, madje nuk ka publikuar asnjë plan për mënyrën se si do të menaxhjojë tregun e paligjshëm të Zdrales.

Në fondin që bashkia ka përcaktuar, 4 milionë lekë do të shkojnë për riparimin e disa pjesëve në merkatën e rusit, e cila jo vetëm që nuk plotëson kushtet, por është kthyer në rrezik serioz për përhapjen e sëmundjeve. Pjesa tjetër prej 2.5 milionë lekësh të reja është përcaktuar për krijimin e hapësirave të vogla në lagje të qytetit, ku ambulantët të shesin produktet e tyre. E pyetur nga mediat 1 muaj më parë, kryetarja e bashkisë Voltana Ademi ka refuzuar të përgjigjet nëse ka një plan për tregun e Zdrales duke u justifikuar me publikimet që bëhen në faqen zyrtare të institucionit. Kjo përforcon faktin se tregtarët e Zdrales edhe gjatë këtij viti do të vijojnë të shesin në rrugë. Nga ana tjetër, Bashkia Shkodër ka rezultuar e pafuqishme që t’u kthejë hapësirat publike qytetarëve, e po ashtu për tregtarët ambulantë akoma nuk ka arritur të gjejë zgjidhje.

Artikulli paraprakVLLAZNIA B-TIRANA B 3-0, SHKODRANËT DREJT OBJEKTIVIT
Artikulli tjetërNIS PËRDORIMI I PATENTAVE TË REJA