Lajmi i trenit të nisur nga Beogradi drejt Mitrovicës është paqyruar gjerësisht edhe në mediat ndërkombëtare.

Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se Kosova ndaloi hyrjen e trenit “provokues” nga Serbia. “Policia e Kosovës bllokoi të shtunën hyrjen e trenit që vinte nga Serbia, mbuluar me ngjyrat e flamurit serb dhe me fjalët “Kosova është Serbi”. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi për mediat se kishte urdhëruar forcat e njësisë speciale të dilnin në kufi për të ndaluar ardhjen e trenit, që kishte qëllim vetëm provokimet dhe nuk kishte leje të kalonte nga autoritetet e Prishtinës”, shkruan Reuters, që përmend gjithashtu edhe arrestimin e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj nga autoritet franceze, me urdhër – arrest të Serbisë. Ndërsa BBC e konsideron incidentin me trenin si përshkallëzim të marrëdhënieve mes dy vendeve. BBC shkruan se Kosova e pengoi trenin serb të kalonte kufirin midis dy vendeve, me supozimet se ishte përgatitur për të hedhur në erë rrugën hekurudhore. Sipas saj, kjo linjë e trenit që do të përurohej nga Beogradi për në veri të Kosovës, shihej si një lidhje e rëndësishme e transportit nga ana e Serbisë. Edhe BBC nuk lë pa përmenduar faktin se treni kishte të shkruar në 20 gjuhë të ndryshme sloganin “Kosova është Serbi” dhe që Kosova e pa trenin si një akt provokues. Ndërsa Euronews shkruan se autoritetet serbe dërguan një tren promovues në veriun e Kosovës, për herë të parë pas 18 vjetësh, por ky veprim u konsiderua si një “provokim i rëndë” nga Prishtina. Edhe në shkrimin e Euronews thuhet se treni ishte pikturuar në ngjyra të Serbisë dhe në të shkruhej mesazhi “Kosova është Serbi”. Në këtë artikull të Euronews citohet edhe drejtori i Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriç dhe deklarata e tij se ky tren nuk është ndonjë risi, por është një zgjerim i linjës hekurudhore që ekziston prej 10 vitesh dhe kjo deklaratë cilësohet si “minimizim i polemikave”. Euronews shkruan më tej se Kosova e ka akuzuar Serbinë për kërcënim të stabilitetit rajonal dhe se i ka bërë thirrje BE-së për të ndërhyrë.

Artikulli paraprakNDALIMI I TRENIT, SERBËT NË PROTESTË
Artikulli tjetërNGRICAT SHKAKTOJNË AKSIDENT NË SHKODËR