Tri vatra zjarri në Parkun “Rinia”. Policia: I qëllimshëm
Një zjarr i fortë ka përfshirë parkun “Rinia” të qytetit të Korçës, duke rrezikuar djegien e gjithë sipërfaqes së parkut. Policia sqaron se menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Rendit, Zjarrfikëset, si edhe shërbimet e Emergjencave Civile të cilat kanë konstatuar tre vatra të mëdha zjarri. “Si rezultat i angazhimit dhe ndërhyrjes në kohë të strukturave të mësipërme, u bë e mundur fikja e zjarrit dhe shmangia e dëmeve të mëtejshme që mund të shkaktonin flakët”, thuhet në njoftim. Nga të dhënat paraprake, dyshohet se kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme. Policia e Korçës, ka shoqëruar në Komisariat disa persona dhe po punon për identifikimin/kapjen e autorëve, si edhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.