Shqipëria nuk është një vend i bukur për të jetuar.
Situata e vështirë sociale dhe ekonomike në të cilën gjenden qindra fëmijë në vendin tonë, e ku zëri nuk u dëgjohet, ka bërë 94% e tyre të mendojnë për një jetë më të mirë jashtë vendit. Një studim i kryer nga organizata “Save the Children”, ka nxjerrë të dhëna shqetësuese lidhur me problemet që fëmijët hasin në shkollë, në komunitet nga varfëria dhe diskriminimi. 14-vjeçarja nga Burreli, Xhorda Dervishi, ka përcjellë me zërin e të gjithë fëmijëve shqetësimet e tyre të përditshme, duke kërkuar më shumë vëmendje nga institucionet përgjegjëse. Xhorda Dervishi: “81% e fëmijëve do të donin të kishin më shumë akses në vendimmarrje për çështje që atyre iu takojnë, ndërkohë që 60% e fëmijëve deklarojnë se ata nuk kanë pasur aspak ose pak mundësi për t’u dëgjuar nga politikbërësit; 58% e fëmijëve kanë parë fëmijë që të dhunohen fizikisht, ndërsa 34% e tyre kanë qenë viktima të bulizmit; 75% e fëmijëve ndjehen të stresuar nga rezultatet në shkollë; 90% e fëmijëve e konsiderojnë shumë të domosdoshëm praninë e psikologut ose punonjësit social në shkollë; 39% e fëmijëve nuk dinë ose janë të pasigurt se ku mund të drejtohen kur ndjehen të dhunuar ose të keqtrajtuar, ndërsa 10% e fëmijëve nuk ndjehen të sigurt në shkollë.
Pothuajse gjysma e fëmijëve, 49.9% ndjehen të trishtuar për një kohë të gjatë dhe vetëm 45% janë optimistë për gjetjen e një pune pas përfundimit të shkollës” Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, u bëri apel fëmijëve që t’i drejtohen këtij institucioni për shkeljet që ata hasin. Erinda Ballanca: “Ne nuk kemi shumë ankesa nga fëmijët. Kontaktoni strukturat e Avokatit të Popullit, nëse realisht ka një rast në të cilin ju e ndjeni veten se të drejtat tuaja janë shkelur. Kjo gjetje, që 94% e fëmijëve shqiptarë e projektojnë të ardhmen e tyre jashtë vendit është një gjetje që duhet të na bëjë të gjithëve që të mendohemi jashtëzakonisht shumë, pasi realisht tregojmë se vendi që kemi nuk është që ai fëmijët tanë duan” Përmes raportit “Zëri i të rinjve 2017”, i cili publikohet edhe në vendet europiane, fëmijët kërkojnë pjesëmarrje në të gjitha nivelet e qeverisjes, ku një ndër prioritetet kryesore duhet të jetë arsimimi.