Ky është momenti kur një sasi tritoli shpërtheu në automjetin e kreut të PD-së së Rithemelimit në Vau Dejës Bernard Ndreca. Kjo ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin Paçram të bashkisë Vau Dejës. Rreth orës 6:30 të mëngjesit të sotëm sasia tritoli shpërtheu në automjetin e kreut të PD-së në Vau Dejës. Nga ky shpërthim mësohet se nuk ka të lënduar por vetëm dëme materiale. Mësohet se shtetasi Bernard Ndreca siç shihet në këto pamje të kamerave të sigurisë ka ndezur fillimisht automjetin dhe më pas është larguar drejt banesës teksa afër tij ndodhej edhe nëna. Sapo ka dalë nga makina lënda eksplozive ka shpërthyer por kreu i PD ndodhej brenda banesës duke shpëtuar pa lëndime.
Menjëherë në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie bashkë me drejtorin e policisë vendore të Shkodrës Ervin Hodaj. Rreth orës 1:15 të 11 prillit, dy persona të maskuar vijnë dhe vendosin poshtë automjetit sasinë e lëndës eksplozive dhe më pas largohen me shpejtësi ndërsa shpërthimi ndodh rreth orës 6:30 të mëngjesit pasi Ndreca ndez makinën e tij. Është ende e paqartë se cilat janë arsyet e vendosjes së tritolit por dyshohet se kjo ngjarje lidhet me zgjdhjet vendore të 14 majit. Megjithatë policia nuk përjashton edhe pista të tjera në këtë hetim.
Në vendngjarje mbërritën edhe kandidati i PD për bashkinë Vau Dejës Zef Hila, kryetari i PD-së zyrtare të Vau Dejësit Gentian Ndoj dhe deputetja e PD Greta Bardeli. I pyetur nga policia nëse ka patur ndonjë kërcënim gjatë këtyre ditëve Ndreca e ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët. Në vitin 2015 Ndreca kur ishte kryetar i KZAZ në Bushat në zgjedhjet vendore është kërcënuar me armë teksa po udhëtonte me automjetin e tij por edhe atëherë pa pësuar lëndime. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë dhe identifikimin e autorëve. Kamerat e sigurisë që kanë regjistruar gjithçka janë sekuestruar nga policia e Shkodrës për të bërë të mundur identifikimin e autorëve. Dyshohet se lënda eksplozive ka qenë e telekomanduar por kjo nuk është verifikuar ende nga grupi hetimor.