Edhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka dënuar sulmin ndaj Prokurorit Albert Kuliçi.
Në një reagim Shoqata thotë se ngjarje të tilla tronditin jo vetëm organet e drejtësisë por krijojnë dhe pasiguri të thellë në radhët e qytetarëve.
“Cenimi i jetës, shëndetit apo pronës së magjistratit përbën një fenomen të papranueshëm për një shtet të së drejtës, që duhet të vërë në alarm të gjitha strukturat përgjegjëse shtetërore si dhe të zgjojë ndërgjegjen qytetare për rëndësinë e misionit të magjistratit.
Autori apo autorët e këtij akti të rëndë ndaj Prokurorit Albert Kuliçi duhet të marrin një përgjigje të shpejtë, efektive dhe të ashpër nga organet ligjzbatuese”, thuhet në reagim.
Shoqata shprehet se funksioni i magjistratit përbën një mision për shoqërinë dhe si i tillë duhet të perceptohet nga të gjithë.
“Cenimi i personit të magjistratit përbën cenim të të gjithë shoqërisë dhe një atentat ndaj rendit kushtetues, pasi përmes akteve të tilla preken garantët e shtetit të së drejtës. Në këtë kuadër, të gjitha hallkat e shtetit dhe të shoqërisë duhet të solidarizohen në mbrojtje të figurës dhe shërbimit që magjistrati kryen ndaj tyre”, vijon më tej reagimi.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë inkurajon të gjithë organet shtetërore që janë angazhuar tashmë me hetimin e ngjarjes dhe zbardhjen e autorit/autorëve të saj për të kryer një punë profesionale me qëllim që të rikthehet qetësia e munguar dhe besimi i tronditur nga kjo ngjarje në radhët magjistratëve por edhe të të gjithë qytetarëve.
“Shpresojmë që kjo ngjarje të marrë emër dhe të mos mbesë e pa zbardhur sikurse rëndom ka ndodhur në raste të tjera.
Në të njëjtën kohë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë falënderon të gjithë zyrtarët dhe organet publike të cilave ata u përkasin për reagimin e menjëhershëm mediatik dhe mbështetjen e gjerë që i kanë dhënë prokurorit Albert Kuliçi si dhe të gjithë trupës së magjistratëve në Republikën e Shqipërisë”, shprehet shoqata.
Së fundi, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë shpreh mbështetjen e pa rezervë ndaj Prokurorit Albert Kuliçi si dhe ndaj të gjithë magjistratëve, gjyqtarë e prokurorë, të cilët punojnë me ndershmëri, profesionalizëm dhe kurajë, duke mos kursyer asgjë që drejtësia të triumfojë. Shembulli juaj duhet të vazhdojë të shërbejë si frymëzim për të gjithë shoqërinë, mbyllet reagimi.