Një sasi lënde plasëse është hedhur në fshatin turistik të Razmës të Malësisë së Madhe edhe në banesën e biznesmenit Gjovalin Shtjefni. Menjëherë pas shpërthimit të 24 majit që ndodhi tek parkingu ku ndodhet reklama e hotelit të kreut të Rithemimit të PD Ferdi Sterkaj, një tjetër shpërthim përfshiu shtëpinë private të shtetasit Gjovalin Shtjefni, biznesmen i njohur në Shkodër në fushën e fasonerisë prej shumë vitesh. Sasia e tritolit tek banesa e Shtjefnit është hedhur nga autorët afërsisht 3 minuta pasi shpërtheu tek reklama e hotelit të Sterkaj që përveçse kryetat i Rithemelimit të PD i sapo zgjedhur është edhe biznesmen dhe pronar i një prej hoteleve më të mëdha në Razëm të Malësisë së Madhe.

Kamerat e sigurisë në të dy këto vende ku ndodhën dy shpërthimet e njëpasnjëshme mungojnë për të ndihmuar policinë vendore të Shkodrës dhe komisariatin e Malësisë së Madhe per identifikimin e autorëve. Gjithsesi në lëvizje gjatë pedonales së Razmës shihen dy makina në lëvizje dhe dyshohet se në njërën prej tyre ndodheshin autorët që hodhën tritolin. Policia dyshon se hedhja e sasisë së lëndës plasëse është lëshuar nga brenda automjetit, pa u ulur në tokë dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur duke mos lënë gjurmë. Deri më tani grupi hetimor nuk ka arritur që të zbulojë autorët e dyshuar. Policia po heton çdo pistë të mundshme rreth këtyre dy shpërthimeve të njëpasnjëshme një ditë më parë në Razëm ndërsa deri më tani është i paqartë shkaku i këtyre ngjarjeve.

Ferdi Sterkaj deklaroi se shpërthimi i tritolit nuk lidhet me të sepse ka ndodhur në një parking publik që është i përbashkët edhe pse aty është reklama e hotelit të tij. Sterkaj shtoi gjithashtu se nuk ka konflikte me askend. Po ashtu edhe biznesmeni tjetër Gjovalin Shtjefni ka deklaruar se nuk ka konflikte dhe se nuk ka patur ndonjë kërcënim të mëparshëm ndaj nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët. Dy shpërthimet ndodhën rreth orës 8:50 të një dite më parë, kohë kur turistët e huaj apo vendas dalin për të shijuar mëngjesin në këtë zonë turistike. Edhe pse kishte lëvizje të turistëve, autorët zgjodhën që ta kryejnë ditën këtë ngjarje kriminale. Policia vijon hetimet për të zbardhur të plota këto dy ngjarje.

Artikulli paraprakGJYQET POLITIKE/ NË 1 MUAJ KUSHTETUESJA SHQYRTON KOMISIONET HETIMORE, RREGULLOREN E KUVENDIT DHE DOSJEN “XHAÇKA”
Artikulli tjetërEKSKLUZIVE/ VJEN LARGIMI I PARË NGA VLLAZNIA