Një sasi tritoli ka shpërthyer në orët e mëngjesit të sotën në banesën e shtetasit me inicialet A.U në Shkodër. Ngjarja ndodhi në lagjen “10 korriku” në hyrje të qytetit. 52 vjeçari është biznesmen prej vitesh në Shkodër. Në momentin e shpërthimit të lëndës plasëse mësohet se familja e biznesmenit ndodhej brenda banesës. Nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar por vetëm dëme materiale. Persona ende të paidentifikuar kanë vendosur lëndën plasëse në derën hyrëse të shtëpisë, në një ndërtesë 3 katëshe në lagjen “10 korriku” në Shkodër. Edhe pse sipas policisë vendore të Shkodrës sasia e vendosur nuk ka qenë shumë e madhe sërish shpërthimi është dëgjuar në atë zonë.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë vendore të Shkodrës duke nisur hetimet për këtë shpërthim. Deri më tani nuk është arritur që të bëhet i mundur identifikimi i vendosjes së tritolit në banesën e biznesmenit A.U. Gjithsesi dyshohet se kanë qenë dy persona të cilët kanë hedhur lëndë eksplozive dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur. Nga ana e saj policia është duke punuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje. Banesa ku ndodhi shpërthimi me tritol është e monitoruar nga kamerat e sigurisë dhe policia i ka sekuestruar për të bërë të mundur kçyrjen e tyre.

Ndërkohë biznesmeni A.U ka dhënë deklaratën e tij për policinë e shtetit duke thënë se nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët që kanë vendosur tritolin dhe se nuk ka konflikte me asnjë person. Policia ende nuk e ka një pistë të saktë hetimi edhe pse dyshimi kryesor lidhet me aktivitetin e 52 vjeçarit si biznesmen në Shkodër. Policia dhe prokuroria e Shkodrës janë duke hetuar për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të shpërthimit me tritol në banesën e shtetasit A.U.

Artikulli paraprak440 VENDE BOSH NË USHTRINË SHQIPTARE
Artikulli tjetërRRUGA E RE E VELIPOJËS BURIM AKSIDENTESH