Një sasi tritoli shpërtheu në orët e para të mëngjesit në fshatin Dragoç të njësisë administrative Postribë në bashkinë Shkodër. Ngjarja raportohet se ka ndodhur rreth orës 5:35 të mëngjesit. Objektiv i këtij sulmi me lëndë plasëse është banesa në pronësi të shtetasit Lulzim Hasaj, 49 vjeç. Nga ky shpërthim me tritol janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Në atë banesë ku ndodhi ngjarja ku banon asnjë njeri. Ajo shtëpi është prej vitesh e braktisur. Sipas burimeve nga vendngjarja dyshohet se një person i maskuar në fytyrë është afruar duke hedhur lëndën plasëse dhe më pas është larguar në drejtim të paditur duke mos lënë gjurmë. Shpërthimi ka shqetësuar banorët e tjerë të fshatit Dragoç që kanë shtëpitë aty afër të cilët e kanë dëgjuar zhurmën e tritolit duke u zgjuar nga gjumi. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë vendore të Shkodrës duke nisur hetimet për zbardhjen e këtij sulmi me lëndë plasëse. Policia në njoftimin paraprak të saj bën të ditur se rreth orës 5:35 në fshatin Dragoç, Postribë, në portën e jashtme të banesës së shtetasit Lulzim Hasaj, 49 vjeç, në të cilën prej shumë vitesh nuk banon njeri, është hedhur një sasi e vogël, dyshohet lëndë plasëse. Si pasojë e shpërthimit ka vetëm dëme të vogla materiale vijon policia. Efektivët shtojnë se grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit. Për momentin mbetet e vështirë identifikimi i autorit për shkak se vendi ku ndodhi shpërthimi me tritol nuk ka kamera sigurie. Megjithatë policia është duke sekuestruar kamerat e sigurisë në atë vende afër për të bërë kçyrjen e tyre me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Ndërkohë shtetasi Lulzim Hasaj prej vitesh jeton në Greqi bashkë me familjen e tij. Nga kontaktet e para me të ka deklaruar se nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët pasi nuk ka konflikt me askend sipas tij. “Nuk e kam idenë se kush mund ta ketë vendosur lëndën plasëse sepse unë nuk kam konflikte me persona të tjerë. Nuk kam patur ndonjë kërcënim ndaj edhe nuk e di se nga mund të ketë ardhur”, mësohet të ketë thënë Lulzim Hasaj, pronari i banesës ku shpërtheu tritoli në fshatin Dragoç të Postribës.

Artikulli paraprakSTOLTENBERG: VENDET E NATO-S DUHET TË JENË TË GATSHME ‘TË PAGUAJNË ÇMIMIN’ PËR PAQE
Artikulli tjetërDITA NDËRKOMBËTARE E PAQES, BEGAJ: HISTORIA NA NJEH NE SHQIPTARËT SI PAQEDASHËS