Vilson Zhuri, një efektiv i policisë vendore të Shkodrës u sulmua me tritol në orët e para të mëngjesit të sotëm. Ngjarja ndodhi rreth orës 3:10 të mëngjesit në lagjen “Tepe”. Dy persona ende të paidentifikuar vendosen një sasi tritoli në derën e oborrit të policit Vilson Zhuri. Nga shpërthimi ka vetëm dëme materiale ndërsa familja Zhuri ndodheshin brenda banesës në gjumë në atë moment ndërsa janë zgjuar në mënyrë të beftë duke konstatuar lëndën eksplozive të vendosur në shtëpinë e tyre. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë duke nisur hetimet paraprake.

Në banesën e efektivit ka kamera sigurie dhe policia i ka sekuestruar duke bërë kçyrjen e tyre. Nga pamjet e kamerave dallohen dy persona me motorr dhe skafandë në kokë të cilët vendosin tritolin dhe më pas largohen me shpejtësi në drejtim të paditur duke mos lënë gjurmë. Për policinë mbetet e vështirë identifikimi i autorëve për shkak të errësirës por edhe disa rrugicave në atë zonë e cila është e rrethuar me kodra dhe disa rrugica në hyrje të qytetit të cilat nuk kanë më tutje kamera sigurie. Megjithatë policia dhe prokuroria po hetojnë në mënyrë intensive për të gjetur autorët e dyshuar. Vilson Zhuri prej dy vitesh është oficer krimesh në njësinë Pult të Dukagjinit. Ajo që policia dyshon është se kjo ngjarje mund të ketë ardhur si shkak i detyrës së tij.

Sipas burimeve policore sulmi me tritol ndaj Vilson Zhurit mund të ketë lidhje me parcelat e drogës në zonën e Dukagjinit. Zhuri herë pas here ka raportuar lidhur me këto parcela dhe dyshimi kryesor është se kjo ngjarje vjen për shkak të punës si oficer krimesh në zonën e Pultit. Ndërkohë efektivi Zhuri ka deklaruar për kolegët e tij se nuk ka konflikte me persona të tjerë dhe se nuk ka patur kërcënime por dyshon se ngjarja lidhet për shkak të detyrës që ushtron. Policia vijon hetimet për të zbardhur të plotë këtë ngjarje të ndodhur në lagjen “Tepe”. Ndërkohë vendosja e tritolit ndaj oficerëve të policisë në Shkodër është kthyer në një shqetësim. Brenda një viti janë 7 raste të sulmeve ndaj policëve të gjitha pa autor, pa llogaritur tritolin edhe ndaj gjyqtarit Tonin Sterkaj që po ashtu ende nuk është zbardhur. Pyetja që shtrohet, kush është i radhës?

Artikulli paraprakSEZONI NË LEZHË, MJETET LUNDRUESE NË MONITORIM
Artikulli tjetërNELSON HYSA SYNON TITULLIN KAMPION EUROPE NË BOKS