Një sasi lëndë plasëse shpërtheu në orët e para të mëngjesit të 24 korrikut në banesën e shtetasit me inicialet S.Sh në Shkodër. Nga shpërthimi i tritoli mësohet se ka vetëm dëme materiale. Në momentin e shpërthimit një pjesë e familjarëve ndodheshin në shtëpi. Sasia e eksplozivit është vendosur në derën hyrëse ndërsa shtëpia ndodhet disa metra më tutje dhe nuk ka pësuar dëme kjo edhe për shkak se sasia e lëndës plasëse sipas policisë vendore të Shkodrës ka qenë e vogël. Ndërkohë shpërthimi është dëgjuar në gjithë zonën, në lagjen “Tom Kola” në afërsi të spitalit rajonal të Shkodrës duke tronditur edhe banorët e tjerë që ndodheshin në gjumë.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta të policisë duke nisur hetimet paraprake rreth kësaj ngjarje të ndodhur. Sipas burimeve shtetasi S.Sh prej vitesh është pronar i një hoteli në Shkodër. Deri më tani është ende e paqartë nëse sasia e lëndës plasëse lidhet me konkurencën apo ka arsye të tjera. Deri tani është e paqartë se kush mund të jenë autorët që vendosën tritolin në banesën e S.Sh ndërsa policia është duke hetuar për t’i identifikuar, gjetur e më pas arrestuar.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 3:45 të mëngjesit kur në rrugë nuk ka qenë askush, gjë e cila e ka ndihmuar autorët të largohen me shpejtësi. Në banesë tjetër në afërsi të vendit ku ndodhi shpërthimi ndodhet kjo kamer sigurie e cila mund të ketë fiksuar autorët gjatë momentit të vendosjes së lëndës plasëse në shtëpinë e shtetasit S.Sh. Policia ka sekuestruar kameran e sigurisë por edhe të tjera në zonën përreth duke u munduar që të identifikojë autorët edhe pse pamja nuk është shumë e qartë për shkak të errësirës që në këtë rast favorizon personat që vendosën sasinë e tritolit.

Shtetasi S.Sh mësohet se në dëshminë e tij për policinë ka deklaruar se nuk ka konflikte me kend dhe nuk e ka të qartë se kush mund të jenë autorët që vendosën lëndën plasëse ndërsa ka kërkuar që të zbardhet e plotë kjo ngjarje. Këto raste me shpërthim eksplozivi janë shtuar vitet e fundit në qytetin e Shkodrës. Shpesh herë kanë rezultuar ngjarje të vërteta ndërsa nuk janë të pakta rastet kur personat e përfshirë i kanë vendosur vetë me qëllim për t’u larguar nga Shqipëria dhe për të kërkuar azil politik. Disa prej këtyre rasteve policia e Shkodrës i ka në hetim e sipër për mashtrim.

Artikulli paraprakMAKINA PËRPLASET ME ZETORIN, 2 VIKTIMA
Artikulli tjetërPRITEN NDRYSHIME TEK AKADEMIA VLLAZNIA