Trofeu “Korça” që organizohet nga Bashkia e këtij qyteti në bashkëpunim me Sportklub Skënderbeu dhe Federatën Shqiptare të Çiklizmit ka nisur të zhvillohet.

Etapa e parë me itinerar Pogradec- Korçë u fitua nga një çiklist i Skënderbeut ndërsa një rezultat pozitiv kanë arritur edhe çiklistët e Vllaznisë.

Bruno Kola dhe Astrit Kronaj nga kuqeblutë janë renditur në vendin e dytë dhe të tretë. Më pas është zhvilluar etapa e dytë, ajo me itinerar Korçë- Zvezd- Korçë.

Interesant është fakti se pas 15 kilometrash nga nisja, çiklisti i Vllaznisë Defrim Dholla është shkëputur nga grupi i madh i sportistëve.

Fillimisht u mendua se do të ishte një shkëputje e rastësishme por nuk ka rezultuar kështu. 16 vjeçari ka bërë një pedalim perfekt duke ecur i vetëm për rreth 50 km dhe ka mbërritur i pari në finishin e Korçës duke u shpallur fitues i kësaj etape.

Ndërkohë në vend të dytë është renditur Amarildo Gogaj i Apolonisë dhe në të tretin një çiklist i Skënderbeut.

Duhet thënë se në mbërritje të etapës së dytë ka patur probleme me orientimin sepse çiklistët e tjerë të Vllaznisë kanë devijuar rrugë duke mbërritur paksa me vonesë në finish.

Nesër është etapa e tretë dhe e fundit e këtij trofeu, një etapë me karakter malor ku çiklistët shkodranë pretendojnë që ta fitojnë edhe atë.

 

Artikulli paraprakBLERAN, FSHATI QË PO THAHET!
Artikulli tjetërMBROJTËSI PJESHKA DREJT LARGIMIT NGA VLLAZNIA