Urime, puthje, shtrëngim duarsh – Trump megjithë diferencat në qëndrime me kancelaren Merkel, u tregua mjaft i përzemërt në Shtëpinë e Bardhë. Temat e bisedimeve nuk ishin të lehta.
Ajo është një grua e jashtëzakonshme, tha Trump dhe është nder ta kesh atë në Shtëpinë e Bardhë. Pas një takimi mjaft të përzemërt para gazetarëve, ku Merkel e falenderoi presidentin amerikan për urimet për krijimin e qeverisë dhe mikpritjen, Trump dhe Merkel u tërhoqën për bisedime kokë më kokë.
Vizita e Merkelit u konsiderua më parë si një vizitë e vështirë. Në axhendë qëndrojnë tema që kanë cënuar harmoninë e dikurshme të marrëdhënieve transatlantike.
Politika tregtare dhe qëndrimet unilaterale të Trumpit, kërcënimi i doganave ndëshkuese për aluminin dhe çelikun.
Marrëveshja atomike me Iranin, që ende qëndron me pikëpyetje nëse Trump do ta zgjasë më 12 maj.
Megjithë miqësinë gjermano-amerikane temat përmbajnë mjaft lëndë shpërthyese për të dëmtuar këto marrëdhënie.
Për Merkelin kjo vizitë është e rëndësishme, sepse së fundmi ishin shfaqur mjaft dyshime për marrëdhënien mes Gjermanisë dhe SHBA-së.
Në Gjermani ndiqet me shqetësim qëndrimi i Trumpit që duket se sheh politikën botërore si një marrëdhënie “të gjithë kundër të gjithëve” ku ka humbës ose fitues.