Zyrtarë të fushatës elektorale të Donald Trump pranuan se kandidati republikan është prapa Hillary Clinton, diçka më shumë se dy javë para se amerikanët të zgjedhin presidentin e tyre të ardhshëm.
Menaxherja e fushatës së Trump, Kellyan Conway tha se Clinton ka disa avantazhe, por siguroi njerëzit se Trump nuk do të dorëzohet, pasi mund ta fitojë garën. Të premten, vetë Trump bëri një deklaratë mjaft të rrallë duke thënë se kishte mundësi që të humbiste zgjedhjet. Zyrtarë të fushatës së Trump thanë se Clinton, veçse ka jashtëzakonisht më shumë fonde ka mbështeje figurash si një ish-president që është edhe bashkëshorti i saj, por edhe mbështetjen e çiftit aktual presidencial. Megjithatë, ata mendojnë se duke parë mbështetjen e madhe popullore që biznesmeni njujorkez ka pasur, është ende herët për t’u dorëzuar. Sondazhet e fundit tregojnë se Clinton udhëheq në rang kombëtar dhe në disa shtete që konsiderohen si fushëbeteja zgjedhore. Por, një pjesë e ekspertëve thonë se këto zgjedhje janë të pazakonta dhe sondazhet nuk duhen marrë si një garanci e vërtetë. Ata përmendin rastin e “Brexit”-it në Britaninë e Madhe, një çështje kontradiktore ku sondazhet jepnin fitues pa as më të voglin dyshim qëndrimin në Bashkimin Evropian. Por dihet se si shkoi ky votim. Në krahun tjetër të politikës amerikane, nga fushata e Clinton, pa bërë deklarata fitoresh dhe me entuziazëm të matur, thonë se këto do të jenë zgjedhjet më të mëdha në historinë amerikane. Menaxheri i fushatës së Clinton, Robbie Mook deklaroi për mediat se në procesin elektoral do të marrin pjesë më shumë njerëz se kurrë më parë.