Gjatë një interviste në rrjetin televiziv NBC, presidenti Donald Trump tha se do ta kishte shkarkuar shefin e FBI-së James Comey edhe në qoftë se zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë nuk do t’ia kishin rekomanduar, duke thënë se ai donte të dukej.

“Ai do që të bjerë në sy. Është pompoz. kërkon të duket. FBI-ja ka qenë e përfshirë në amulli prej tij”, i tha zoti Trump rrjetit televiziv në intervistën e tij të parë që prej shkarkimit të papritur ditën e martë të zotit Comey. Ish kreu i FBI-së po drejtonte një hetim mbi lidhjet mes zyrtarëve të fushatës zgjedhore të presidentit Trump dhe zyrtarëve rusë, së bashku me ndërhyrjen e mundshme ruse në zgjedhje e vitit të kaluar. “Do ta pushoja vetë Comey-n” tha Trump. “Do ta kisha pushuar pavarësisht pavarësisht nga rekomandimi i zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm Rod Rosenstein”.

Të enjten Shtëpia e Bardhë mbrojti sërish mënyrën se si e shkarkoi drejtorin e Byrosë Federale të Hetimit, në një periudhë kur po hetohen lidhjet e njerëzve të fushatës zgjedhore të presidentit dhe zyrtarëve rusë. Marrëdhënia e ndërlikuar e Presidentit Trump me ish-drejtorin e FBI-së Shkarkimi i drejtorit të FBI-së, James Comey nga Presidenti Donald Trump ishte pika kulmore e një marrëdhënieje të vështirë njëvjeçare mes tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Bill Gallo i hedh një vështrim zhvillimeve të muajve të fundit. Trump: “Oh, and there’s James. He’s become more famous than me.” Edhe në momentet më të mira, për Donald Trumpin ishte një marrëdhënie e dyfishtë dashuri-urrejtje. Armiqësia e presidentit me drejtorin e FBI-së, James Comey filloi gjatë fushatës … kur zoti Comey nuk pranoi të ngrinte akuza kundër rivales së zotit Trump, Hillary Clinton, për përdorimin e një serveri privat emailesh, kur ishte Sekretare Shteti.

“Nuk kemi prova që të mund të mbështesnin ngritjen e akuzave”. Kandidati i atëhershëm Trump u indinjua, duke argumentuar se zonja Clinton duhet të ishte futur në burg për emailet. Por qëndrimi i zotit Trump ndryshoi vetëm 11 ditë para zgjedhjeve, kur zoti Comey njoftoi se FBI-ja po analizonte një grup tjetër emailesh të zonjës Clinton, një deklaratë që shumë demokratë thonë se kontribuoi në fitoren e zotit Trump. “E respektoj faktin që drejtori Comey arriti të bënte një kthesë pas veprimit të tij të mëparshëm. E respektoj këtë jashtë mase”. “Ai e rifitoi reputacionin e tij, e rifitoi.” “FBI-ja po bën punë të mirë.” Por kur mori detyrën, toni i tij ndryshoi përsëri.

Veçanërisht pasi zoti Comey konfirmoi se po drejtonte një hetim për të zbuluar nëse zyrtarët e fushatës së zotit Trump kishin bashkëpunuar me Rusinë për të ndërhyrë në zgjedhje. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se shkarkimi i zotit Comey nuk ka të bëjë fare me hetimin. Ata përmendin një letër të Departamentit të Drejtësisë, ku kritikohet mënyra se si e trajtoi ai çështjen e emaileve të zonjës Clinton. Por shumë ligjvënës nuk e besojnë këtë arsyetim, duke shtruar pyetjen se pse Presidenti Trump do ta shkarkonte zotin Comey për të njëjtat veprime që më parë i kishte përshëndetur. “Pyetja e parë së cilës duhet t’i përgjigjet administrata është: ‘pse tani?’”, thotë senatori demokrat, Chuck Schumer. Por zoti Trump nuk është penduar. I pyetur dje se pse e shkarkoi zotin Comey, ai u përgjigj. “Sepse nuk po bënte punë të mirë. Është e thjeshtë. Nuk po bënte punë të mirë”.

Artikulli paraprakZGJEDHJET E PARAKOHSHME MË 11 QERSHOR
Artikulli tjetërNJË EKSPOZITË PËR MAKINAT LUKSOZE ‘BUGATTI’