Me një gjuhë të drejtëpërdrejtë, si përherë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, sulmoi agjencitë e sigurisë në vend sa i përket daljes së informacioneve të reja për kontakte të njerëzve të tij të afërt me Rusinë.

Ai akuzoi inteligjencën amerikane dhe FBI-në, se po shpërndan ilegalisht informacione, si të ishin karamele. Kjo është anti-amerikane, shkruan Trump në Twitter. Në vorbullën e sulmit të shefit të Shtëpisë së Bardhë përfunduan edhe mediat. Informacionet po u jepen dështakëve të “New York Times” dhe “Washington Post” duke shkelur ligjin, thumboi Trump, i cili për shkroi gjithashtu se kanale si CNN apo MSNBC janë të pashikueshëm me këto teori konspirative që publikojnë. Ditët e fundit në disa media u raportua për lidhje të njerëzve të afërt të Trump -it me Moskën, të dhëna që çuan në dorëheqjen e parë të administratës Trump, atë të Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, Michael Flynn. Ky i fundit i akuzua se ka pasur komunikime të ngushta me Ambasadorin rus në SHBA. Këto akuza janë cilësuar të rënda nga kongresmenët amerikanë, të cilët bënë thirrje për nisje të hetimeve. Të martën, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se bisedat mes Flynn dhe diplomatit rus nuk përbëjnë shkelje ligjore. Vetë Këshilltari dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Trump sqaroi se komunikimet me Ambasadorin rus nuk e kanë kaluar vijën e kuqe. Largimi i Michael Flynn ishte një tjetër shuplakë ndaj administratës së re, e cila sapo pësoi një disfatë ligjore për çështjen e urdhërit për ndalimin e myslimanëve.

Artikulli paraprakFORMIMI I USHTRISË ME KUSHTETUTË, I PAMUNDUR
Artikulli tjetërRUSIA “NDËRHYN” EDHE NË ZGJEDHJET NË FRANCË