Sarandë, trupi i 29-vjeçarit të mbytur kapet nga rrjeta e peshkatarit
Trupi i një të riu 29 vjeç të mbytur në det ka rënë sot në rrjetën e një peshkatari. Viktima quhet Aleks Laçi. Laçi ishte zhdukur që në 11 dhjetor në plazhin Pllakat dhe në breg ishin lënë rrobat dhe pasaporta e tij. Aleks Laçi nga Dibra jetonte me familjen në Kamëz. Ai kishte qënë emigrant në Greqi, ku nuk ishte paguar për punën e bërë dhe ishte kthyer në vendin e tij me synimin për të gjetur një punë në Sarandë, tek të afërmit e tij. As atje nuk kishte mundur të gjente punë dhe duket se ka kaluar një tronditje. Babai i tij Aziz Laçi tregoi pas zhdukjes së të birit: “Ditën e diel pasdite u nis për në Sarandë. Në 21:00 të mbrëmjes fola në telefon dhe më tha që kishte arritur. Pastaj të nesërmen në orën 15:00 më kanë njoftuar policia e Sarandës që ka gjetur rrobat dhe pasaportën e tij” . Vëllai i Aleksit nga ana tjetër tjetër rrëfeu se Aleksi ishte nevrik, por nuk krijonte kurrë probleme: “Vëllai im nuk ishte ndonjë tip që mund të krijonte dyshim, Kur më thanë që kanë gjetur rrobat në det sa nuk pësova shok. Erdhëm këtu bëmë deklaratë në polici. Nuk iu heq asnjë presje atyre që tha babai. Ai erdhi këtu për punë, tek një person i njohur, i cili i kishte thënë që kishte punë vetëm në sezonin e verës”.