Natën e Vitit të Ri të gjitha amvisat preferojnë që tavolina të jetë e mbushur plot. Madje shpeshherë ushqimet që gatuhen, nuk konsumohen dot as për një javë. Dietologet japin këshillat e tyre për këtë natë të ndërrimit të viteve.
Vitin e Ri mezi e presin jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit. Gjithsesi janë këta të fundit që kanë përgjegjësinë e asaj se çfarë duhet dhe nuk duhet shtruar në tavolinë. Tradita sigurisht zë një pjesë të rëndësishme në atë që hahet, megjithatë janë edhe disa gjëra që duhen mbajtur parasysh.
Tryeza më e bollshme e vitit është pa dyshim ajo e Vitit te Ri. Të gjithë tundohemi nga ushqimet plot shije, ëmbëlsirat tërheqëse dhe mesatarisht shtojmë 2-3kg nga të cilat 0,5kg nuk zbresin më. Ato kontribuojnë në shtim të konsiderueshëm ndër vite.
Për ata që vuajnë nga kolesteroli i lartë, hipertensioni dhe diabeti, tryeza e Vitit të Ri mund të përbëjë një problem të madh. Le të shohim disa nga ushqimet të cilat kërkojnë vëmendje:
1. Lëkura e gjelit të detit
Nën lëkurën e gjelit të detit akumulohet një sasi e konsiderueshme yndyre e ngopur, kolesteroli dhe kripe. Në vetëm 30gr lëkurë gjenden 160 kalori të cilat vijnë nga yndyrë e ngopur dhe 50mg kolesterol. Përveç këtij fakti, mënyra e gatimit ka shumë të bëjë me përmbajtjen e lëkurës. Temperaturat e larta të gatimit mund të shkaktojnë formimin e substancave kancerogjene.
Këshillë:
Shërbejeni gjelin e detit pa lkurë. Nëse nuk e evitoni dot në asnjë mënyrë, atëherë përpara gatimit lyejeni me vaj ulliri ekstra të virgjër dhe mos e piqni në temperatura shumë të larta.
A e dinit se lëkura e mishit të pulës nuk është edhe kaq e dëmshme për fëmijët? Përkundrazi, nëse gatuhet i zier ose i pjekur ngadalë, ajo përmban përbërës që ndihmojnë rritjen, si proteina dhe kolagjeni!
2. Pijet e gazuara
Pijet e gazuara përmbajnë sheqer në sasi të mëdha. Vetëm një kanaçe e vogël përmban 12 lugë sheqer. Kaloritë e 12 lugëve sheqer janë të barabarta me kaloritë e një cope bakllava. Me ndryshimin e vetëm që bakllavaja të ngop, madje të vel, kurse kaloritë nga pijet e gazuara sensorët tanë të ngopjes nuk i njohin fare!
Këshillë:
Zëvendësoni pijet e gazuara me çaj bimor ose thjesht me ujë natyral!
A e dinit se pijet e gazuara e bëjnë trupin tonë të djegë më pak dhjam se normalisht? Ato ndërhyjnë në monopate të metabolizmit duke penguar djegien e acideve lyrore nga depozitat e dhjamit dhe e bëjnë trupin të djegë sheqer në vend të dhjamit, gjë që nuk e ndihmon aspak trupin tonë!
3. Pijet alkoolike
Pijet alkoolike shkaktojnë dehidratim (sidomos pijet e kripura) dhe rënie të sheqerit në gjak. Disa koktejle mund të përmbajnë sasi të mëdha kalorish dhe sheqeri duke u përzier me shurupe të koncentruar.
Këshillë:
Mos pini me stomakun bosh se do të deheni shumë shpejt. Preferoni verën cilësore në vend të pijeve të forta. Bëni kujdes t’i shoqëroni me sa më shumë ujë.
A e dinit se pirja e kafes përpara e përshpejton efektin e alkoolit në trup?
Kujdes:
Individët që vuajnë nga diabeti duhet të kujdesen të marrin ushqimin e nevojshëm krahas pijeve alkoolike, sepse mund t’ju bjerë sheqeri në gjak!
4. Kujdes nga majoneza
Majoneza që përdorim për sallaten ruse është nga ushqimet më delikate dhe më të mundshme për të shkaktuar helmime. Kjo për shkak të të verdhës së vezës, e cila përdoret e gjallë.
Këshillë:
Nëse e blini majonezën të gatshme sigurohuni të jetë nga vezë të pasterizuara. Nëse e bëni vetë, sigurohuni të dezinfektoni vezët me ujë të nxeht, por jo të valuar. Lani duart tuaja me sapun dhe ujë të rrjedhshëm dhe kujdesuni që enët që përdorni të jenë të pastra.
A e dinit se gratë shtatzanë rrezikojnë më shumë nga të gjithë nga majoneza e bërë vetë? Të moshuarit dhe fëmijët e vegjël gjithashtu janë të riskuar, prandaj bëni kujdes!
Përveç këtyre, shijojeni tryezën e Vitit të Ri, hani ngadalë, bëni sa më shumë muhabet dhe lëvizni në këmbë këto ditë!