Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka marrë pjesë sot në një tryezë të organizuar për Reformën Zgjedhore, ku ka dhënë edhe një prononcim për mediat lidhur me zhvillimet në PD dhe nismat që ka dorëzuar në Kuvend.
Duke iu shmangur pyetjeve të gazetarëve për Berishën dhe Bardhin, Basha tha se PD e ka të qartë platformën dhe se asnjë interes personal nuk duhet të vendosë mbi agjendën e opozitës.
“Nuk kam ndërmend të ushqej lajmet me telenovelat e vjetra dy vjeçare. Ajo që njerëzit presin nga ne nuk është t’i gjejmë punë vetes si deputetë. Ajo që duhet të na bashkojë edhe interesi i qytetarëve. Qytetarët meritojnë një politikë të pastër nga krimi dhe korrupsioni. Asnjë interes personal nuk do ta zhvendosë partinë Demokratike. PD e ka të qartë platformën me qytetarët. Kushdo që nuk vendos interesin personal të parin, është i mirëpritur të bëhet pjesë”- u shpreh Basha.
Duke folur për bashkëbisedimin që mbahet sot për Reformën Zgjedhore mes koalicionit të djathtë, Basha tha se PD ka depozituar në Kuvend ligjin për vettingun e politikanëve në mënyrë që të zgjedhurit e qytetarëve në parlament të jenë figura të pastra. Ai shtoi se PD nuk do të lejojë një marrëveshje tjetër si ajo e vitit 2008 mes Ramës dhe Berishës për Reformën Zgjedhore.
“Asnjëherë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, nuk kanë ardhur si rezultat i numrave të një partie. Ne si PD do të imponojmë që asnjë konsensus si ai i 2008-ës ku numrat ishin por ua futën qytetarëve dhe sot paguajmë faturën e marrëveshjes okulte”- tha kryedemokrati.