Tuba sekretë poshtë Benz-it, plot me kanabis
Një 41-vjeçar nga Fushë Kruja, Arben Dobrozi,ka bërë tentatativën e fundit për të kaluar drogën në portin e Durrësit dhe trafikuar atë në Itali, por është zbuluar. Shpikja e Dobrozit ishte një seri tubash llamarine si në foto, të mbushur em kanabis dhe të instaluar në pjesën e poshtë të makinës së tij Benz. Përpjekjen për ta kaluar e ka bërë dje, më datë 13 maj 2017. Por, Policia Kufitare e Durrësit, gjatë kontrollit të ushtruar në Vijën e Dytë në Pikën e Kalimit Kufitar, në automjetin Benz me targa AA 630 PY, ka konstatuar në pjesën e traversës gjatësore, poshtë automjetit, në krahun e majtë dhe të djathtë, se ishin vendosur tuba llamarine në formë të rrumbullakët. Në brendësi të tyre ishin futur disa pako me lëndë narkotike, të mbështjella me natriban. Menjëherë u njoftuan specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Policinë Durrës për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Në përfundim të veprimeve hetimore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 23 pako me peshë rreth 23.2 kg me lëndë narkotike kanabis dhe u arrestua në flagrancë shtetasi Arben Dobrozi 41 vjeç, banues në Bilaj, Fushë-Krujë. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet I kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale” Trafikimi I lëndëve narkotike” e mbetur në tentative parashikuar në nenin 283/a, 22 të Kodit Penal.