Për herë të parë, vizitorët në Koloseun e Romës mund të eksplorojnë plotësisht tunelet nëntokësore dhe dhomat ku gladiatorët dhe kafshët e egra dikur përgatiteshin për betejë.

Dyshemeja nëntokësore ose ndryshe hipogjeumi i monumentit 2000-vjeçar, i shtrirë në 15.000 metra katrorë është hapur për publikun pas përfundimit të një projekti restaurimi të mundësuar nga shtëpia italiane e modës Tod’s.

Megjithëse njerëzit mund të zbresin në rrjetin Hipogjeum – i cili qëndron nën atë që ishte arena e amfiteatrit dhe ishte i padukshëm për spektatorët në kohërat antike – që nga viti 2010, ata mund të hynin vetëm në një pjesë të vogël. Tani ka vendkalime që lejojnë vizitorët të eksplorojnë tunelet dhe dhomat e tyre.

Alfonsina Russo, drejtoresha e Koloseut, tha se hipogjeumi, i cili fillimisht u gërmua në shekullin e 19-të, ishte “prapaskena” e vërtetë e amfiteatrit.

“Sot ne po i kthejmë publikut një monument brenda një monumenti,” tha Russo. “Ajo që doli në pah (nga projekti) është se hipogjeumi kishte një histori 400-vjeçare, nga kur u hap amfiteatri në AD 80 deri në shfaqjen përfundimtare në 523.”

Ajo tha se 15 korridoret e restauruara treguan “gjurmët e historisë të lëna me kalimin e kohës”.

Më shumë se 80 arkeologë, arkitektë dhe inxhinierë u përfshinë në projektin dy-vjeçar për të “rikthyer në qendër të vëmendjes një monument që e do e gjithë bota”, tha Diego della Valle, kryetari i Tod’s.

Artikulli paraprakEKSPERTJA E BANKËS BOTËRORE: PSE U RRIT MË SHUMË VARFËRIA NË SHQIPËRI GJATË PANDEMISË
Artikulli tjetërTEST POZITIV PËR COVID-19, NXËNËSIT GJEJNË MËNYRË TË RE PËR T’I SHPËTUAR MËSIMIT