Shkodra vazhdon të jetë interesante edhe në fund të shtatorit.

Ndonëse temperaturat e larta kanë pësuar ulje dhe sezoni veror është mbyllur, në kryeqendrën e veriut nuk mungojnë tursitet. Grupe të huajsh nga vende të ndryshme të Europës vijojnë të jenë prezent në Shkodër. Shtetasit nga Gjermania, Polonia, Çekia apo edhe slloven, kroat, serbë, malazez mund t’i takosh në Shkodër. Ky qytet mesa duket ka ç’ka të ofrojë edhe pse sezonit veror i ka ardhur fundi. Natyrisht që numri i turisteve nuk është në fluksin e ditëve të nxehta të korrikut e gushtit ku rrugët e qytetit thuajse ishin të mbushura me turistë. Pikësynimi i tyre vijojnë të mbeten zonat historike e kulturore të Shkodrës. 

TURISTËT PREFEROJNË ZONAT HISTORIKE DHE KULTURORE

Fillimisht nis me një gjiro të shkurtër disa minutëshe në pedonalen “Kolë Idromeno”. Më pas një preferencë e turistëve vijon të mbetet fototeka “Marubi”. Nuk mbeten pas kalaja e “Rozafatit” apo edhe shtëpia muze “Oso Kuka”. Gjuhadoli, një prej lagjeve më të vjetra po ashtu është një zonë që frekuentohet. Pamja piktoreske që Shkodra ka mahnit sidomos turistët që shkelin për të parën herë në Shkodër. Ushqimet tradicionale gjithashtu janë në listën e të huajve. Natyrisht problem është infrastruktura që ende nuk është në parametrat e duhura apo nganjëherë rrëmuja në qytet. Trafiku në shumë akse rrugore dhe ndonjëherë mbeturinat mbeten çështje për t’u zgjidhur. Mbase jo në një masë të madhe të përfituarit nga ardhja e turisteve janë bizneset. Një organizim më i mirë ndoshta do të sillte edhe më shumë turistë pavarësisht se sezoni thuajse është mbyllur.

Artikulli paraprakArrestohen 2 persona për tregtim dhe transport të mallrave kondrabandë
Artikulli tjetërZJARRI PËRFSHIN TARABOSHIN, NEUTRALIZOHEN FLAKËT