Shqipëria nuk ka investuar mjaftueshëm në zhvillimin e turizmit malor, edhe pse burimet janë të mëdha. Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë masat e marra nga Ministria e Turizmit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit si dhe Federata Shqiptare e Alpinizmit, përgjatë periudhës 2019-2020, për zhvillimin e turizmit malor, nuk kanë rezultuar mjaftueshëm efektive, pasi kanë qenë të pamjaftueshme për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm.

“Zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit malor, ka nevojë për kuadër rregullator të plotë dhe të zbatueshëm, rritje të nivelit të financimit, strategji marketingu dhe promovimi, menaxhim të destinacioneve të tij, infrastrukturë dhe aktivitete mbështetëse, komunikim dhe bashkëpunim të ngushtë me sektorin publik dhe privat”, thuhet në auditimin e kryer nga KLSH.

Probleme të tjera që ka nxjerr auditimi janë mungesat në investim në akomodim cilësor si në bregdet, në personel të trajnuar si dhe në infrastrukturë.

“Kapaciteteve financiare dhe njerëzore, infrastrukturës publike në zonat e thella të vendit, bashkëpunimit ndërinstitucional, pengesat në procesin e kategorizimit dhe të klasifikimit të strukturave akomoduese, mosfunksionimi i plotë të strukturave përgjegjëse për turizmin, mungesa e një databaze të plotë dhe të saktë për turizmin, në gjykimin e grupit të auditimit, kanë pasur ndikim negativ në cilësinë dhe zhvillimin e turizmit në tërësi dhe atij malor në veçanti”, ky është konkluzioni i KLSH.

Marketingu është mangësi thelbësore për turizmin malor që është shqetësim prej më shumë se 10 vitesh.

Në Shqipëri të dhënat mbi numrin e hyrjeve dhe daljeve raportohen nga INSTAT, por KLSH thotë se duhet të ketë një sistem të ri statistikash për fushën e turizmit, me qëllim që të kuptohen preferencat e tyre, niveli i shpenzimeve dhe mbi këto të dhëna të hartohen strategji për zhvillimin e turizmit.

“Mungesa e përgatitjes dhe vënies në funksion të një sistemi të ri të statistikave në fushën e turizmit, në vlerësimin e prirjeve dhe preferencave të turistëve, të shpenzimeve të tyre dhe se si këto shpenzime ndikojnë në zonat e vizituara, që në gjykimin e grupit të auditimit, këto mangësi mund të ndikojë negativisht në studimin dhe vlerësimin, e ecurisë së turizmit në nivel të përgjithshëm kombëtar, si dhe përcaktimin e objektivave joreal për zhvillimin e qëndrueshëm të tij”, thuhet ndër të tjera në auditim.

 

Artikulli paraprakEDHE INSTITUTI I VJENËS RISHIKON ME RRITJE ECURINË EKONOMIKE TË SHQIPËRISË MË 2021
Artikulli tjetërNDËR SHTETET E PARA QË NISI FUSHATËN MASIVE, POR SHQIPËRIA MBETET E FUNDIT NË EUROPË PËR VAKSINIMIN, KOSOVA KRYESON RAJONIN