Turizmi duket se po fillon të lulëzojë sërish në vendin tonë pasi sëmundja e Covid-19 është drejt shuarjes. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në katër muajt e parë të këtij viti në vendin tonë kanë hyrë 1.07 milionë shtetas të huaj duke rritur hyrjet e të huajve në vend me 42% në krahasim me vitin e kaluar.

Nga të dhënat duket se ka rënë ndjeshëm numri i turistëve nga Kosova ndërsa janë shtuar turistët nga shtetet e tjera. Hyrjet nga Greqia u gjashtëfishuan, nga Italia u trefishuan, nga Spanja u pesëfishuan dhe nga Anglia u gjashtëfishuan. Në katër muajt e parë të këtij viti, nga Kosova duket se ka rënie të turistëve por janë shtuar shtetasit e huaj që vijnë nga Europa. Një vit më parë, 50% të turistëve ishin nga Kosova në këtë periudhë ndërsa këtë vit, janë vetëm 31% e totalit.

Sipas INSTAT, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Prill 2022, janë 832.920. Krahasuar me Prill 2021, ky tregues rezulton me një rritje 78,6%. Në Prill 2022, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar ka arritur në 402.051 duke u rritur me 66,8%.

Gjatë katërmujorit të parë 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Greqia ka pasur rritjen më të madhe me 6 herë, ndërsa Kosova ka pasur rënien më të ndjeshme me 13,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Edhe daljet e shqiptarëve dhe të huajve nga Shqipëria gjatë muajit prill 2022 kanë shënuar rritje me 85.5% me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Artikulli paraprakMBLIDHET TË SHTUNËN KËSHILLI KOMBËTAR PËR ZGJEDHJEN E KRYESINË SË PD, BYLYKBASHI: DO GAROJ PËR POSTIN E NËNKRYETARIT
Artikulli tjetërKREDIA PËR SHTËPI ARRITI REKORD TË RI NË TREMUJORIN E PARË TË VITIT