Një vit më parë arbitri rumun Ovidiu Hategan preku zemrat e tifozëve me reagimin e tij emocionues në fundin e sfidës së Ligës së Kombeve mes Holandës dhe Gjermanisë.
Barazimit ekzaltues 2-2 në fushë, iu shtuan edhe lotë e bilbilit rumun për humbjen e nënës së tij, një veprim që gjeti dhe ngushëllimin e lojtarëve, në veçanti Virxhil Van Dajk.
Do të jetë i njëjti arbitër që do të vendosë drejtësinë në sfidën e kësaj fundjave në eliminatoret e Europianit 2020 kur Shqipëria të luajë në një transfertë të vështirë me Turqinë. Ovifiu Hategan është përzgjedhur nga UEFA për 90 minutëshin në Stamboll mbrëmjen e së premtes në stadiumin Shykry Saraçollu.
Asistentët e arbitrit kryesor do të jenë Octavian Şovre dhe Sebastian Gheorghe, ndërsa i katërt në përballjen e 11 tetorit do të jetë një tjetër rumun, Sebastian Colţescu. Arbitri kryesor Hategan është një nga gjyqtarët më të mirë të Rumanisë në dekadën e fundit, duke u futur në elitën e kolegjiumeve kontinentale, dhe për këtë i janë besuar ndeshje të rëndësishme.