Turqia ka bllokuar aksesin në enciklopedinë online Wikipedia, një nga faqet më popullore në mbarë botën.

Nuk dihet ende përse është vendosur ky ndalim, por grupi Turkey Blocks tha se faqja nuk ishte e aksesueshme që prej orës 08:00 me orën lokale, sipas urdhrave të autoriteteve turke. Sidoqoftë, ky urdhër provizor do të duhet të marrë mbështetje nga një gjykatë në ditët e ardhshme. Sapo lajmi i ndalimit u bë i ditur, mediat sociale kanë reaguar njëzëri dhe disa përdorues dyshojnë se kjo mund të jetë një përpjekje për të ndrydhur kritikat në faqen personale të presidentit Recep Tayyip Erdogan në Wikipedia.

Ky i fundit fitoi ngushtësisht në referendumin e 16 prillit për zgjerimin e pushtetit të tij, një çështje që e ka përçarë thellësisht vendin. Një përdorues në Twitter vuri re se faqja në Wikipedia mbi referendumin turk, ka një pikë mbi “polemikat dhe sjelljet e pahijshme zgjedhore”, ku citohen pretendimet se qeveria ka ndrydhur fushatën kundër referendumit përmes arrestimeve, kontrollit të medias dhe shtypjes politike.

Turqia ka ndaluar përkohësisht faqe të njohura të medias sociale përfshi Facebook e Twitter, veçanërisht në prag të protestave masive dhe sulmeve terroriste, por qeveria gjithnjë ka mohuar censurimin e internetit. Wikipedia përballet me censurë edhe në të tjera vende si Rusia apo Kina.

Artikulli paraprakBE TREGON UNITET PËRPARA ‘BREXIT’, MIRATOHET LINJA QË DO NDIQET NË NEGOCIATA
Artikulli tjetërDEMARKACIONI VOTOHET JAVËN E ARDHSHME, NË PIKËPYETJE QEVERIA