Raportet e vdekjes së parë në radhët e forcave të Ankarasë të përfshira në inkursionin e ditëve të fundit në Siri, janë pasuar nga deklaratat e ushtrisë për vrasjen e 25 militantëve kurdë në afërsi të Jarablusit.

Por Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut thotë se nga vala e sulmeve turke në zonë kanë humbur jetën të paktën 35 civilë dhe vetëm katër militantë. 20 prej viktimave në radhët e banorëve, sipas grupit me seli në Londër, janë regjistruar në Jeb el-Kussa, 14 kilometra në juglindje të Jarablusit. Të tjerët u vranë prej bombardimeve në Al-Amarneh. Turqia është duke shënjestruar fshatrat kurde përreth Jarablusit të cilin rebelët sirianë, të ndihmuar prej saj, e shkulën nga duart e ISIS-it në ditën e parë të ofensivës. Ankaraja druhet se luftëtaret kurdë mund të vënë nën kontroll një rrip territori përgjatë kufirit me Sirinë, çka do të ishte një shtysë e fuqishme për Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, të shpallur të paligjshme nga shteti turk. Operacionet e Turqisë e komplikojnë akoma më shumë luftën e zgjatur civile të Sirisë. Si Ankaraja, ashtu edhe rebelët kurdë janë aleatë të Shteteve të Bashkuara, por kjo nuk i fashit hasmëritë e vjetra mes tyre. Më herët, raketat e lëshuara, sipas gjasave prej disa militantëve kurdë, drejt aeroportit të qytetit kryesor të juglindjes së Turqisë, Dijarbakir, kanë detyruar pasagjerë e pjesëtarë të stafit të vrapojnë për të shpëtuar kokën. Megjithatë, raporte për viktima nuk pati ndërsa ngjarja nuk e trazoi itinerarin e fluturimeve.

Artikulli paraprakMES RRËNOJAVE TË TËRMETIT ÇIFTI THOTË “PO”
Artikulli tjetërSHPËRTHIM NË LABORATORIN E KRIMEVE NË BRUKSEL