Turqia ka paralajmëruar Gjermaninë të “mësojë si të sillet” nëse do të mbajë gjallë marrëdhënien mes vendeve.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu në një deklaratë për shtyp, tha se Gjermania dhe Perëndimi luajnë me standarde të dyfishta, duke kërkuar demokraci dhe liri të shprehjes, dhe njëkohësisht duke u përzierë në çështjet e brendshme të një vendi. Deklarata erdhi pasi qyteti jugperëndimor i Gaggenau tërhoqi lejen për një takim ku Ministri turk Bekir Bozdag, pritej të mbante një fjalim. Adresimi do të ishte pjesë e përpjekjeve për të fituar sa më shumë mbështetje nga qytetarët turq që jetojnë në Gjermani, mbi referendumin e prillit, për zgjerimin e fuqive presidenciale të Erdogan. Ndërkohë, edhe qyteti i Köln-it, bllokoi një event ku Ministri turk i Ekonomisë do të mbante një fjalim, për shkak të shqetësimeve lidhur me sigurinë.

“Qëndroni larg populizmit përpara këtij referendumi. Nëse doni të mbani marrëdhënie me ne, duhet të mësoni si të silleni. Nuk mund t’i trajtoni këto çështje me këto metoda. Ne do të kundërpërgjigjemi pa hezitim. Ky është mesazhi ynë për Gjermaninë,” paralajmëron Cavusoglu.

Komentet reflektojnë një marrëdhënie të tensionuar mes dy vendeve, e testuar së fundmi edhe nga arrestimi në Turqi i Deniz Yucel, një korrespondent për gazetën gjermane Die Welt. Gjermania tha se ky akt, i paprecedent për një korrespondent gjerman, ka shkaktuar një dëm të madh në lidhjen mes palëve.

Artikulli paraprakMESAZHI I MOGHERINIT, RAMA: MË TROÇ SE KAQ?
Artikulli tjetërLUIZA GEGA KUALIFIKOHET NË FINALE