Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditura këtë të hënë se luftimet mes Turqisë, rebelëve proturq dhe forcave të përbëra nga kurdët në veri të Sirisë janë të “papranueshme” dhe si të tilla duhen ndalur urgjentisht.

Përplasjet në vendndodhjet ku i ashtuquajturi Shtet Islamik nuk është i pranishëm përbëjnë një “burim shqetësimi të thellë”, bëri të ditur i dërguari amerikan në koalicionin anti-ISIS, përmes një statusi në “Twitter”. Forcat turke kanë sulmuar ato që ata i quajnë “terroristë” kurdë, që kur kaluan përtej kufirit sirian gjatë javës së kaluar. Megjithatë, pjesëtarë të milicisë kurde “YPG” thonë se Turqia ka një dëshirë të fshehur për të pushtuar territorin sirian. Ankaraja nga ana e saj pretendon se, me inkursionet e ndërmarra së fundi synon të mbajë larg kufirit të saj si luftëtarët e Shtetit Islamik, ashtu dhe ata kurdë. Ushtria turke dhe fraksioni i rebelëve aleatë të Ushtrisë së Lirë Siriane (FSA) detyruan militantët e Shtetit Islamik të largoheshin nga qyteti sirian kufitar i Jarablusit, të martën e kaluar, e më pas kanë bombarduar fshatrat fqinje të kontrolluara prej Forcave Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra prej kurdëve, por edhe të mbështetura prej Shteteve të Bashkuara. Turqia ka këmbëngulur që milicia kurde, të cilën e konsideron si terroriste, të tërhiqet më në lindje përgjatë lumit Eufrat. Ndërkohë, Njësitë e Mbrojtjes Popullore Kurde (YPG), që dominojnë mes forcave të SDF-së, kanë bërë të ditur se ata janë tërhequr, por shtojnë se veprimet e fundit të Turqisë kundër tyre janë thjesht një “justifikim” për të pushtuar Sirinë. Zëdhënësi i Pentagonit, nga ana tjetër, ripërsëriti thirrjen e Uashingtonit për tërheqjen e YPG-së përtej lumit, gjë që sipas tij ka ndodhur në pjesën më të madhe. Por, ai paralajmëroi se operacionet e pakoordinuara “ofrojnë shteg për ISIS-in që të gjejnë mundësi të sulmojnë sërish Turqinë, SDF-në, Shtetet e Bashkuara, apo edhe partnerët tanë anembanë botës”. Shqetësimi i Turqisë për zgjerimin e mundshëm të kurdëve u shtua më së shumti pasi SDF-ja mori nën kontroll qytetin strategjik sirian të Manbijit, dy javë më parë. Kjo, sepse Turqia po e lufton kryengritjen kurde në juglindjen e vendit prej dekadash, ndaj dhe frikësohet se fitoret e kurdëve në veri të Sirisë mund të nxisin ndjenjat separatiste të kurdëve në vendin e tyre.

Artikulli paraprakSHUHET IKONA E KOMEDISË BOTËRORE
Artikulli tjetërSEKUESTROHEN NË SHKODËR 2 KG E 963 GR LËNDË NARKOTIKE