Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ka nxjerrë një vendim në bazë të së cilës, administrata tatimore mund të rimbursojë TVSH-në me këste, në rastet kur bëhet fjale për shuma që i kalojnë 150 milionë lekë (1.2 milionë euro). Këto pagesa do të shtrihen për një peruidhë jo më të gjatë se dy vjet. Këtë marrëveshje biznesi mund ta përdorë dhe si barrë siguruese në kuadër të një krede bankare.

Vendimi parashikon që në rastet kur tatimpaguesit realizojnë investime në vlera të larta apo kanë blerje mallrash/shërbimesh me TVSH, të cilat krijojnë tepricë të lartë kreditore të TVSH-së për t’u rimbursuar, administrata tatimore kërkon nga tatimpaguesi dhe, pasi merr dakordësinë e tij me shkrim, mund të lidhë marrëveshje për pagesë me këste të shumës së miratuar për t’u rimbursuar.

Marrëveshja përmban planin e skeduluar dhe afatet e pagesës së kësteve të TVSH-së të miratuar për t’u rimbursuar. Me nënshkrimin e marrëveshjes dhe me miratimin e planit të pagesës së shumës për t’u rimbursuar, detyrimi i administratës tatimore ndaj tatimpaguesit konsiderohet i shlyer dhe nuk aplikohen kamatëvonesat.

Vendimi parashikon që Administrata tatimore i propozon tatimpaguesit lidhjen e një marrëveshjeje për pagesën me këste të shumës së miratuar për t’u rimbursuar në rastet e mëposhtme:

a) shuma e TVSH-së për t’u rimbursuar është mbi 150 000 000 lekë;

b) nuk mund të aplikohet neni 75, “Detyrimet tatimore të paguara më tepër”, i ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Në rastet kur përmbushen këto kushte dhe pasi ka diskutuar paraprakisht me tatimpaguesin, administrata tatimore, brenda 5 ditëve pune nga data e miratimit të shumës për rimbursim, i dërgon tatimpaguesit projektmarrëveshjen për pagesën me këste të shumës për t’u rimbursuar, ku është përcaktuar plani i pagesave të kësteve sipas muajve.

Plani i pagesës me këste të shumës së miratuar për t’u rimbursuar duhet të shtrihet për një periudhë jo më të gjatë se 2 vjet. Kjo procedurë mund të zbatohet edhe për stokun e kërkesave të miratuara për t’u rimbursuar para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, duke respektuar kriteret e pikës 3 të këtij vendimi.

Formati i projektmarrëveshjes përcaktohet nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve.

Tatimpaguesi shpreh dakordësinë, brenda 5 ditëve pune nga marrja e kërkesës së administratës tatimore, dhe i kthen administratës tatimore marrëveshjen e firmosur. Në rastet kur tatimpaguesi ka kundërshtime lidhur me projektmarrëveshjen apo skedulimin e afatit dhe të kësteve të pagesës së shumës për t’u rimbursuar, zgjidhja e kundërshtimit bëhet me mirëkuptim ndërmjet palëve.

Marrëveshja për pagesën me këste të shumës së TVSH-së së miratuar për t’u rimbursuar mund të lidhet më shumë se një herë me të njëjtin tatimpagues, nëse plotësohen kriteret e pikës 3 të këtij vendimi.

Nëse brenda periudhës së vlefshmërisë së marrëveshjes së lidhur, tatimpaguesit i është miratuar për rimbursim kërkesa tjetër e radhës, palët mund të dakordësohen të rishikojnë këstet e marrëveshjes ekzistuese, duke marrë në konsideratë edhe shumën e re të miratuar për t’u rimbursuar.

Në rastet kur tatimpaguesi ka pranuar marrëveshjen për pagesën me këste të shumës së miratuar për rimbursim të TVSH-së dhe, më pas, kërkon nga bankat e nivelit të dytë vendosjen e shumës së miratuar për t’u rimbursuar si barrë siguruese, në kuadër të një kontrate kredie bankare:

a) ai njofton administratën tatimore për vendosjen e shumës së miratuar për t’u rimbursuar si barrë siguruese, në kuadër të një kontrate kredie bankare;

b) ai përcakton bankën e nivelit të dytë dhe numrin e llogarisë bankare ku administrata tatimore duhet të transferojë këstet e TVSH-së së miratuar për rimbursim;

c) administrata tatimore vendos në formularin “Njoftim për miratimin e rimbursimit të TVSH-së” apo në “Urdhërpagesë për rimbursim”, numrin e llogarisë bankare dhe bankën përkatëse, të deklaruar nga tatimpaguesi, ku do të kalojnë pagesat e kësteve të TVSH-së së miratuar për rimbursim, këste, të cilat transferohen nga dega e thesarit, brenda 5 ditëve pune, në llogarinë e tatimpaguesit.

Në rast të mosrespektimit të afatit të pagesës së kësteve, tatimpaguesi ushtron të drejtën e mospagesës së detyrimeve të tjera tatimore, në masën e këstit të parimbursuar, ndërsa, në rastet e pagesës në avancë të ndonjë shume të parashikuar si këste të periudhave pasardhëse, shuma e paguar në avancë zbritet nga kësti i periudhës pasardhëse, për të cilën është paguar;

ç) administrata tatimore respekton afatet e pagesës së kësteve të TVSH-së së miratuar për rimbursim, të dakortësuara në marrëveshje. Ajo transferon këstet e rimbursimit sipas afateve në bankën dhe llogarinë e deklaruar nga tatimpaguesi.

Për të garantuar që shuma e miratuar për t’u rimbursuar do të shërbejë si barrë siguruese për kontratën e kredisë bankare ndërmjet tatimpaguesit dhe bankës, llogaria ku transferohen pagesat e kësteve të rimbursimeve përdoret vetëm për këtë qëllim. Njëkohësisht, shumat e transferuara të rimbursimeve në këtë llogari përjashtohen nga pasuria mbi të cilën mund të vendosen masa shtrënguese të mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore.

Administrata tatimore krijon një regjistër të marrëveshjeve të lidhura, sipas kritereve të këtij vendimi dhe informon Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për këto marrëveshje.

Artikulli paraprakLËVIZJET NË JANAR/ IKIN SHQIPTARËT, VIJNË TË HUAJT, RIKTHEHEN POLAKËT (SHIFRAT)
Artikulli tjetërFOTO/ EKZISTON NJË PERIUDHË KUR KULLA E PIZËS PJERRTËSOHET MË PAK, ZBULONI ARSYEN