TVSH-ja për turizmin do jetë 6%. Qeveria çon pr/ligjin në Kuvend
Këshilli i Ministrave ka propozuar një projektligj për uljen e TVSH-së për turizmin në 6%. Vendimi i qeverisë është një lehtësim për sektorin e turizmit që synon nxitjen e investimeve, uljen e çmimeve dhe rritjen e konkurrencës, kjo pasi bizneset do paguajnë 14% më pak Tatim mbi Vlerën e Shtuar. Aktualisht TVSH për turizmin është 20%. Turizmi mbetet një nga sektorët më vitalë për ekonominë shqiptare i cili gjeneron të ardhura të konsiderueshme në buxhetin e shtetit dhe ekonominë familjare. “Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, është 6 për qind. Kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në projektligjin e propozuar nga qeveria. Ulja e TVSH për turizmin ka qenë një nga premtimet e kryeministrit Edi Rama dhe kërkesë e vazhdueshme e operatorëve turistikë.