Ekipi U-17 i Akademisë Vllaznia nuk ka arritur që të fitojë Kupën e Shqipërisë në ndeshjen finale përballë Tiranës.

Në ndeshjen finale të luajtur në “Elbasan Arena”, shkodranët janë mundur nga Tirana përmes gjuajtjes së 11-metërshave pas barazimin 0-0 në lojën e rregullt. Në këtë mënyrë, bardheblutë janë shpallur fitues të këtij edicioni të Kupës. Ndeshja ka qenë pothuajse e barabartë dhe të dy ekipet kanë patur rastet e tyre. Në pjesën e dytë, Vllaznia krijoi disa raste shënimi, por pa konkretizuar me gol. Pavarësisht përpjekjeve të të dy ekipeve koha e rregullt përfundon në barazim 0-0. Sipas rregullores së Federatës Shqiptare të Futbollit për këtë aktivitet, nuk është e përcaktuar shtesë loje siç ndodh zakonisht por gjuajtja e menjëhershme e 11-metërshave. Natyrisht që emocionet kanë qenë të mëdha tek futbollistët e të dy ekipeve sepse gabimi më i vogël do t’i kushtonte humbjen e trofeut. Kështu ngjau me mesfushorin e Vllaznisë Kulla i cili humbi penalltinë e pestë duke bërë që bardheblutë të fitojnë 5-4 përmes 11-metërshave. Para Kullës, në gjuajtje kanë qenë të saktë Lekaj, Hoxha, Qardaku dhe Sekja ndërsa në radhët e Tiranës lojtarët u treguan të gjithë të saktë duke bërë që kryeqytetasit të shpallen fitues të këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë. Kjo humbje është një zhgënjim për kuqeblutë të cilët pretenduan të jenë fitues të Kupës duke bërë që fokusi kryesor të jetë fitimi i titullit kampion.

Artikulli paraprakALUIZNI, 200 LEJE NË MUAJ, VËMENDJE ZONAVE INFORMALE
Artikulli tjetërKAPET SHQIPTARI I DËNUAR PËR VRASJE ME 700 MIJË EURO KOKAINË