Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i ka akorduar medaljen “Mirënjohje publike”, Marc I. Ghorayeb, Konsull i Përgjithshëm Nderi i Shqipërisë në Liban, për kontributin në sigurimin e kushteve për lirimin nga kampi Al Hol, Siri, të Alvin Berishës.

Ceremonia e dorëzimit të medaljes u zhvillua në Ministrinë e Brendshme, gjatë një vizite që Ghorayeb po zhvillon në Tiranë. Ministri Lleshaj vlerësoi fort angazhimin e tij, si një gjest qytetar, më shumë e përtej detyrës.

“I akordova medaljen “Mirënjohje publike”, zotit Marc I. Ghorayeb, Konsull i Përgjithshëm Nderi i Shqipërisë në Liban, me motivacionin “Për merita dhe shërbime të veçanta për sigurimin e kushteve për lirimin nga kampi Al Hol, Siri, të shtetasit shqiptar, Alvin Berisha”.
Ceremonia e dorëzimit të medaljes u zhvillua në Ministrinë e Brendshme, gjatë një vizite që Ghorayeb po zhvillon në Tiranë.

“Gjatë fillimit të muajit nëntor zhvilluam së bashku një punë shumë të rëndësishme, që kishte të bënte me lirimin dhe me sjelljen në atdhe të një qytetari shqiptar, një fëmije, Alvin Berishës, gjatë të cilit zoti Ghorayeb u angazhua personalisht, vetë në cilësinë e Konsullit të Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban, në cilësinë e një qytetari të Shqipërisë, në cilësinë të një qytetari të Libanit, por jo vetëm vetë si Marc, por edhe si familje. Gjithë familja e tij u angazhua dhe na krijoi lehtësira të jashtëzakonshme, që mundësuan që Alvin Berisha të kthehej shëndosh e mirë, pranë familjes së tij.

Për mua ka qenë hera e parë që e njoh zotin Ghorayeb gjatë këtyre ditëve dhe jam befasuar shumë pozitivisht, lidhur me angazhimin e tij, që ka patur në shërbim të imazhit të Shqipërisë në Liban në tërësi, edhe në Lindjen e mesme e më gjerë. Ka arritur të krijojë një Konsullatë, e cila është model edhe për shumë nga Ambasadat tona, nëse e krahason për nga niveli i performancës që jep.

Gjatë ditëve që ishim në Liban përmes kontakteve, angazhimit të tij personal dhe familjar, mundësoi që ne të kishim gjithë akseset e nevojshme pranë autoriteteve të sigurisë në të gjitha nivelet, që nga Ministri i Brendshëm dhe autoritetet e tjera ligjzbatuese e të inteligjencës. Zhvilluam një aksion shumë të ndërlikuar dhe arritëm të kemi sukses.

Me këtë rast, e shfrytëzoj këtë mundësi për ta falënderuar Marcun për angazhim e tij, e për t’i dhënë në shenjë mirënjohje medaljen për “Mirënjohjen publike”, shkruan Lleshaj.

Vogëlushi Alvin pas 5 vitesh, shpëtoi nga kampi ferr në Siri, Al Hol, një qytet më vete me rreth 70 mijë persona, shumica gra luftëtarësh të ISIS dhe fëmijë. Ai ka rrëfyer edhe përjetimet e tmerrshme, që me vdekjen e mamasë nga shpërthimi i bombës e deri në luftën për mbijetesë. Alvin tashmë po jeton pranë babit të tij në Itali larg jetës së mëparshme.

Artikulli paraprakNIS RINDËRTIMI, RAMA NË DURRËS: NJERËZIT S’MUND TË FUTEN NË SHTËPI NËSE MENDOJNË SE DO KËPUTEN KOLONAT
Artikulli tjetërGJONAJ I JEP GRAVE TË BURGOSURA LAJMIN E MIRË PËR AMINISTINË: DO JU NDJEK DERI NË FUND